Tiranë/Vodhi një automjet, me qëllim shitjen e tij, vihet në pranga 42-vjeçari

Tiranë

Vodhi një automjet në rrugën “Niko Avrami”, me qëllim shitjen e tij për skrap, vihet në pranga 42-vjeçari.

Procedohet penalisht pronari i pikës së skrapit.

Gjendet dhe sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, automjeti i vjedhur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Niko Avrami” ishte vjedhur një automjet, menjëherë organizuan punën me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Si rezultat i një pune të mirëorganizuar, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 42 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, ditën e djeshme, në rrugën “Niko Avrami”, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit E. A., dhe më pas e ka dërguar në një pikë skrapi, me qëllim shitjen e tij.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. Gj., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit në pikën e skrapit, në pronësi të tij, u gjet dhe u sekuestrua automjeti i vjedhur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.