Korçë/Shiste kokainë e kanabis, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari

Korçë

Vijon puna për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Shiste kokainë e kanabis në lagje dhe në lokale të ndryshme të qytetit të Korçës, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari.

Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike, kokainë dhe kanabis, e ndarë në doza, gati për shitje.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” ushtruan kontroll në një automjet, pasi dyshohej se në këtë automjet lëvizte personi i dyshuar për shitje të narkotikëve.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik ndaj shtetasit P. T., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike, kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesat e këtij shtetasi, u gjet një tjetër sasi kokaine dhe kanabisi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Narkotikëve arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin P. T., 34 vjeç, banues në Korçë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.