Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”

Korçë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”, me rrezikshmëri për punonjësit e Policisë.

Mbante armë zjarri në banesë dhe kërcënoi me jetë punonjësit e Policisë, pas thirrjeve të Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, vihet në pranga 26-vjeçari.

Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ai kërcënoi punonjësit e Policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje kishte siguruar dhe mbante përsëri armë zjarri, organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Again”.

Në momentin e ndërhyrjes, 26-vjeçari ka kundërshtuar të hapë derën dhe ka kërcënuar me jetë punonjësit e Policisë.

Pas thirrjeve të bëra nga ana e Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 26 vjeç, banues në Korçë, person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe municioni luftarak.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.