Policia e Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi “Certifikatën e Karrierës” Drejtuesit Osman Qystri, me motivacionin: “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Certifikata e Karrierës iu dorëzua Drejtuesit Qystri, me rastin e daljes në pension, gjatë një ceremonie të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në të cilën morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe kolegë dhe bashkëpunëtorë të Osman Qystrit në këtë rrugëtim të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit.
Drejtori Proda falënderoi Drejtuesin Osman Qystri për kontributin, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në të gjitha detyrat e kryera në Policinë e Shtetit. Gjithashtu, Drejtori Proda theksoi se është nder për Policinë e Shtetit të nderojë dhe të vlerësojë figura të tilla me integritet dhe profesionalizëm të lartë, modele krenarie dhe ndershmërie që duhet të ndjekë çdo i ri që dëshiron të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit.
Drejtuesi Osman Qystri, i cili së fundi mbante detyrën e Shefit të Sektorit për Analizën Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, i emocionuar për vlerësimin, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për certifikatën e akorduar, pasi në këtë mënyrë i është vlerësuar përkushtimi dhe kontributi i dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit dhe qytetarëve. Ai gjithashtu falënderoi kolegët me të cilët kishte bashkëndarë për shumë vite sfidat dhe sukseset e profesionit, si dhe iu uroi atyre suksese të mëtejshme.