Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë
Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës vijojnë të kryejnë kontrolle intensive në akset kryesore të kryeqytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Gjatë 72 orëve të fundit:
11 drejtues automjetesh janë arrestuar/proceduar penalisht, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur ose pa leje;
14 automjete janë bllokuar;
11 leje qarkullimi janë tërhequr për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor;
3900 masa administrative për parkim të gabuar;
54 masa administrative janë vënë ndaj automjeteve të konstatuara nga makinat inteligjente shpejtësi-matëse, në tejkalim të normave.
Policia Rrugore thekson sërish se drejtimi i automjetit, në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi, si dhe shkeljet e tjera të rënda të rregullave të qarkullimit, përbëjnë rrezik serioz për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të tjerë. Autorët e tyre do të ndëshkohen me masa të menjëhershme dhe të rrepta, sipas parashikimeve ligjore.
Kontrollet vijojnë pa ndërprerje, në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit, duke telefonuar në 112. Policia garanton anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
DVP Elbasan/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Hijet”.
Të maskuar dhe nën kërcënimin e një sendi të ngjashëm me armë zjarri, vodhën me dhunë lekët e xhiros ditore në një karburant, por falë reagimit të menjëhershëm të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Librazhd, u identifikuan, kapën dhe u arrestuan menjëherë pas krimit, dy autorët e dyshuar.
Sekuestrohen sendi që u përdor për kanosje, maskat dhe veshje të tjera të përdorura gjatë krimit, paratë e vjedhura, automjeti me targa të mbuluara që përdorën dy shtetasit, si dhe celularët në përdorim nga këta shtetas.
Menjëherë pas njoftimit të marrë për vjedhjen me dhunë të ndodhur në një karburant në Librazhd, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, Komisariatin e Policisë Librazhd dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative dhe koordinimit në kohë reale të shërbimeve, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Hijet”.
Në kuadër të operacionit, pak minuta pas ngjarjes, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e dy autorëve të dyshuar: shtetasit D. I., 23 vjeç, dhe D. S., 19 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 15.09.2025, rreth orës 23:00, shtetasit D. S. dhe D. I., të cilët qarkullonin me një automjet me targa të mbuluara, kanë shkuar në karburantin në hyrje të Librazhdit. Të maskuar dhe me një send të ngjashëm me armë zjarri pistoletë, ata kanë kanosur punonjësin e subjektit, i kanë marrë xhiron ditore dhe janë larguar me shpejtësi.
Pasi janë larguar nga vendngjarja, për të fshehur autorësinë, kanë hedhur në shkurret e fshatit Mirakë sendin e përdorur për kanosje, maskat dhe veshjet e tyre.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e këtyre sendeve, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lekët e vjedhura, celularët dhe automjetin e shtetasve të arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 12:20, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Vajkanit”, automjeti me drejtues shtetasin J. M., është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. M., 30 vjeçe, banuese në Laç.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë pasagjerja në automjetin që drejtohej nga shtetasja E. M., shtetasja M. K., rreth 60 vjeçe, si edhe kanë shkuar në spital për të kryer ekzaminimet, drejtuesja e automjetit dhe 2 pasagjerët e tjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasit P. S., 70 vjeç dhe M. S., 63 vjeçe (bashkëshortë), banues në fshatin Skënderbegas, pasi dje, me vetëgjyqësi, kanë bllokuar një rrugë kalimi të përbashkët në fshatin Skënderbegas, si dhe kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë që kanë ndërhyrë për lirimin e rrugës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. B., 18 vjeç dhe H. B., 20 vjeç (vëllezër), pasi janë konfliktuar fizikisht me një 18-vjeçar, për motive të dobëta.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. K., 43 vjeç dhe B. P., 39 vjeç, pasi u konstatuan duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur;
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-S. Zh., 19 vjeç dhe A. B., 76 vjeç, pasi u konstatuan duke drejtuar motomjetet përkatëse, pa leje drejtimi;
-një 17-vjeçar, pasi në aksin rrugor “Skëndërbegas-Gramsh”, motomjeti që ai drejtonte pa leje drejtimi, ka dalë nga rruga dhe si pasojë janë dëmtuar 17-vjeçari dhe një shtetas që udhëtonte me të, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën;
-A. D., 18 vjeç, pasi në aksin rrugor “Muriqan-Cërrik”, automjeti që ai drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin E. D. 34 vjeç. Shtetasi A. D. është larguar nga vendi i aksidentit dhe është paraqitur më pas. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 3 pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin A. D., drejtuesi i automjetit tjetër dhe 2 pasagjerët në automjetin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-P. Y., 35 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës, një shtetas 48 vjeç;
-A. Z., 63 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një shtetas 43 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim juridik të mëtejshëm, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, dyshohet se si pasojë e infarktit, ka humbur jetën, në automjetin e tij, shtetasi B. D., 59 vjeç, banues në Lushnjë.
Mbrëmjen e djeshme, te rrethrrotullimi i Levanit, dyshohet se si pasojë e një defekti teknik, ka marrë flakë, gjatë lëvizjes, automjeti që drejtonte shtetasi A. Sh., 21 vjeç, banues në Fier. Si pasojë, është dëmtuar 21-vjeçari, i cili ka marrë asistencë mjekësore dhe është larguar në banesë, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin M. N., 29 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 i gjetën sasi lëndësh narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, për veprën penale “Dhuna në familje”, F. L., 33 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-D. G., 38 vjeç, pasi dyshohet se në gjendje të dehur, ka thyer xhamin e një subjekti;
-B. D., 41 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të mos parkuar automjetin, në një vend të rezervuar;
-G. M., 57 vjeç dhe S. M, 26 vjeç, babë e bir, pasi dyshohet se për motive pronësie, kanë kanosur shtetasin G. G, 30 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin M. T., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij;
-shpallën në kërkim shtetasin M. V., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka marrë xhiron ditore në subjektin ku punonte dhe është larguar. Punohet për kapjen e këtij shtetasi, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-S. B., 67 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta, një 61-vjeçar;
-Gj. M., 26 vjeçe, pasi dyshohet se shfrytëzonte djalin e saj të mitur, për të kryer punë, në rrugë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për:
-shtetasin A. Gj., 34 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar me një 21-vjeçar;
-shtetasin E. B., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike, në banesën e tij;
-një 14-vjeçar, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një bashkëmoshatar të tij;
-Xh. T., 26 vjeç dhe A. K., 26 vjeç, pasi u kapën duke qarkulluar me një automjet të ngarkuar me inerte.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. K., 48 vjeç dhe M. P., 45 vjeç, pasi dyshohet se gjatë një konflikti me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dëmtuar xhamat e autobusëve që drejtonin;
-shpallën në kërkim shtetasin K. H., 21 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, shtetasin M. M. Punohet për shoqërimin e 21-vjeçarit;
-shpallën në kërkim shtetasit F. S,, 28 vjeç dhe A. K., 37 vjeç, pasi në një lokal, për motive të dobëta, kanë goditur dyshohet me sende të forta, shtetasin A. K. Punohet për shoqërimin e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. F., 59 vjeç, pasi dyshohet se subjekti që administron, ka ndotur ajërin.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin M. B., 23 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar motomjetin të cilin rezultoi se e drejtonte pa leje.
Më datë 15.09.2025, kallëzuan shtetasit:
-A. B., 28 vjeçe dhe F. B., 25 vjeçe, se në rrjete sociale janë hapur llogari në të cilat janë publikuar fotografi të tyre. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të 2 rasteve;
-E. M., 30 vjeç, se i kanë vjedhur kredencialet e llogarisë së tij në rrjete sociale. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të rastit.
-E. B., 36 vjeçe, se ka konstatuar mungesën e disa materialeve, për ndërtimin e një strukture të përkohshme që ka në ngarkim. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Më datë 15.09.2025, është dërguar në spital, pa shenja jete, shtetasi i huaj J. J., 64 vjeç, i cili dyshohet se ka pësuar infarkt, gjatë një udhëtimi me autobus, për qëllime turistike. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. Gj., 52 vjeç, banues në Kurbin, funksionar në një institucion shtetëror, pasi dje, ka kallëzuar shtetasi F. L., 75 vjeç, banues në Tiranë, se shtetasi B. Gj. e ka mashtruar duke i premtuar përfitimin e një banese te blloku i banesave në lagjen nr.4, Laç, të ndërtuara pas tërmetit të vitit 2019.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Cërrik
Postoi në rrjete sociale video në të cilat shfaqeshin keqtrajtime të kafshëve, arrestohet 33-vjeçari.
Ai u kap jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Menjëherë pas njoftimit për raste të keqtrajtimit të kafshëve në fshatin Rrasë, të cilat ishin dokumentuar nëpërmjet disa videove të publikuara në rrjete sociale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kryen veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit.
Si rezultat, u vu në pranga shtetasi K. M., 33 vjeç.
Ai u lokalizua jashtë banesës së tij, në fshatin Rrasë, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i ishte caktuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
PKK Kakavijë/Kontrolle të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditen 2 raste të mosdeklarimit të të hollave.
Sekuestrohen rreth 32 000 euro dhe 30 000 lekë, procedohen penalisht 2 shtetasit që i posedonin dhe nuk i deklaruan në kufi.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, janë goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave, konkretisht:
-në hyrje, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi V. B., të cilit i janë gjetur në çantë, 11 985 euro dhe 30 000 lekë, që ai nuk i kishte deklaruar;
-në dalje, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi F. I., të cilit i janë gjetur në çantë, 20 000 euro, që ai nuk i kishte deklaruar.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasit V. B., 66 vjeç, banues në Kuçovë dhe F. I., 69 vjeç, rezident në Greqi.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-P. D., 47 vjeç, banues në Vlorë, pasi në PKK Kakavije, në hyrje të RSh-së, gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak;
-A. A., 59 vjeç, banues në Vlorë, pasi në aksin rrugor “Kakavije-Gjirokastër”, gjatë kontrollit në automjetin e tij kamion, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan pije energjike, të dyshuara të kontrabanduara.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17 vjeçar, banues në Çepunë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël Cannabisi.
Më datë 15.09.2025, në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, ka kallëzuar shtetasi I. A., 82 vjeç, banues në Gjirokastër, se prej datës 11.09.2025, ka humbur kontaktet me djalin e tij, shtetasin G. A., 47 vjeç. Punohet për gjetjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Vau i Dejës
Goditën me grushte e sende të forta një 37-vjeçar, në pedonalen para Bashkisë së Vaut të Dejës, kapet dhe vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të dyshuar për këtë ngjarje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Kapshticës, Korçë, bënë të mundur kapjen e shtetasit G. H., 28 vjeç, banues në Klos, Mat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 19.08.2025, në pedonalen para Bashkisë së Vaut të Dejës, kanë goditur me grushte dhe me sende të forta shtetasin D. L., 37 vjeç.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave të rastit dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të dyshuar për këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 20 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasja N. Z., 53 vjeçe, e cila u dëmtua lehtë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-arrestuan shtetasin D. G., 25 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kallëzuar shtetasja A. H., 23 vjeçe, se ky shtetas e ka kanosur. Gjatë kontrolli fizik, shtetasit D. G. iu gjet një mjet prerës (thikë);
-shpallën në kërkim shtetasit L. N., 50 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re dhe L. Sh., 28 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj, pasi dyshohet se kanë kanosur dhe kanë goditur me sende të forta një 47-vjeçar, për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi mbrëmjen e djeshme, në ambientet e Shtëpisë Mbështetëse “Mimoza”, shtetasja L. B., 64 vjeçe, ka humbur jetën, dyshohet për shkak të arrestit kardiak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
–
Malësi e Madhe/Rreth orëve të para të mëngjesit, në fshatin Koplik i Sipërm, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi dhe si pasojë ka rënë zjarr në garazhin afër banesës së shtetasit S. Ç. Si pasojë janë dëmtuar lehtë shtetasit S. Ç. dhe S. Ç. (bashkëshortë).
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. K., 53 vjeç, banues në Bilisht, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, shtetasi A. D., 75 vjeç, banues në fshatin Belorta, duke lëvizur me biçikletë, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. Ai po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Shkozë, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, i ka marrë ish-bashkëshortes, fëmijët e tyre të mitur, dhe nuk ia ka kthyer më.
Shërbimet e Komisariatit të Policsë Korçë referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasi Zh. R., 75 vjeç, banues në Korçë, pasi ka tentuar të vetëvritet me thikë. Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasi P. K., 28 vjeç, banues në Kolonjë, punonjës i bashkisë Kolonjë, se ka konstatuar të hapur derën e një magazine në pronësi të bashkisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.