PKK Kakavijë/Kontrolle të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditen 2 raste të mosdeklarimit të të hollave.
Sekuestrohen rreth 32 000 euro dhe 30 000 lekë, procedohen penalisht 2 shtetasit që i posedonin dhe nuk i deklaruan në kufi.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, janë goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave, konkretisht:
-në hyrje, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi V. B., të cilit i janë gjetur në çantë, 11 985 euro dhe 30 000 lekë, që ai nuk i kishte deklaruar;
-në dalje, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi F. I., të cilit i janë gjetur në çantë, 20 000 euro, që ai nuk i kishte deklaruar.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasit V. B., 66 vjeç, banues në Kuçovë dhe F. I., 69 vjeç, rezident në Greqi.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.