Malësi e Madhe/Kishte kultivuar 137 bimë narkotike, në pronë publike në fshatin Jubicë, arrestohet

Malësi e Madhe/Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”.

Kishte kultivuar 137 bimë narkotike, në pronë publike në fshatin Jubicë, kapet në flagrancë në parcelë dhe vihet në pranga 54-vjeçari.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe arrestuan në flagrancë shtetasin I. R., 54 vjeç, banues në fshatin Jubicë.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me DVKM Shkodër, dyshohet se ky shtetas ka kultivuar 137 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në tokë publike, në fshatin Jubicë, vend ku u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.