Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Smartphone”

Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Smartphone”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

Tentoi të kontrabandonte 49 celularë (iPhone), që i kishte fshehur në kabinën e kamionit, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe vihet në pranga 53-vjeçari.

Në vijim të kontrolleve intensive në hyrje/dalje të territorit, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, mbi bazën e analizës së riskut dhe kundër paligjshmërive në kufi, finalizuan operacionin policor “Smartphone”, si rezultat i të cilit u godit një rast në fushën e kontrabandës së mallrave.

Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar S. I., 53 vjeç, banues në Kosovë.

Në Port Durrës, në hyrje, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi S. I, gjetën të fshehura në kabinë, 49 celularë (iPhone), për të cilët ky shtetas nuk kishte fatura blerjeje.

49 celularët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me kamionin dhe 2 celularë që përdorte shtetasi S. I.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.