Kuçovë/Bëri drift me automjet në terminalin e qytetit, gjobitet drejtuesi dhe i bllokohet automjeti

Berat

Bëri drift me automjet në terminalin e qytetit të Kuçovës, qarkullonte pa siguracion dhe me masa administrative të palikuida, ndëshkohet me masë administrative 60 000 lekë drejtuesi, si dhe bllokohet automjeti.

Qarkullonte me automjet pa leje drejtimi, pa targa dhe me xhama të errësuar me qese, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë drejtuesi i automjetit.

Bazuar në disa pamje filmike, në të cilat shfaqej një automjet tip “Benz”, duke kryer manovra të rrezikshme (drift) në terminalin e qytetit të Kuçovës, si dhe nga informacionet e marra se në aksin rrugor Poshnje-Berat lëvizte një automjet pa targa, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kryer veprimet për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve.

Drejtuesit e automjeteve, shtetasit E. Ç., 20 vjeç, banues në Berat dhe L. A., 28 vjeç, banues në Kuçovë, janë shoqëruar në ambientet e DVP Berat, bashkë me automjetet e tyre.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Policisë Rrugore iu vendosën masat administrative, në bazë të Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke i garantuar ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.