Lezhë/Procedohet penalisht 1 shtetas, për pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit

Lezhë

Pengoi qarkullimin e automjeteve në një rrugë me fluks lëvizjeje, duke parkuar automjetin në mënyrë të parregullt, procedohet penalisht dhe i sekuestrohet automjeti.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve me objektiv konstatimin e parkimeve të gabuara të mjeteve, që bëhen shkak për pengimin e qarkullimit në qytet dhe në zona me lëvizje të lartë, konstatuan një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt, në rrugën “Luigj Gurakuqi”.

Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin E. M., 36 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, me qëllim që të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve të tjera dhe të qytetarëve. Në çdo rast, shkeljet do të trajtohen me masa administrative dhe/ose penale.