Bazuar në pamjet filmike të dërguara nga një qytetar në adresën zyrtare të rrjetit social ‘Facebook’ të DVP Dibër, ku shfaqej një drejtues automjeti duke kryer parakalim të rrezikshëm në urën e Vashës, si dhe pas publikimit të një videoje ne rrjete sociale në të cilën shfaqej një tjetër drejtues automjeti duke kryer parakalim të rrezikshëm brenda tunelit të Murrizit, Shërbimet e Policisë Rrugore të Dibrës kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesve të automjeteve.
Nga verifikimet e kryera, u identifikuan drejtuesit e automjeteve, shtetasi R.S., banues në Klos; dhe shtetasja V.M., banuese në Tiranë
Në zbatim të nenit 146 të Kodit Rrugor, shtetasi R.S., u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë, për shkeljen e kryer.
Në zbatim të nenit 174 të Kodit Rrugor, shtetasja V.M., u ndëshkua me masë administrative 20 000 lekë, për shkeljen e kryer, si dhe iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit.
Policia Rrugore e Dibrës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.