Si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. H., 72 vjeç, banues në fshatin Fatishë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në fshatin ku banonte, për të djegur mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe disa pemë ulliri.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.