Velipojë – Shërbimet e Policisë gjejnë një 6-vjeçar që ishte larguar nga prindërit, në plazh

Punonjësit e Policisë në Velipojë ia dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, djalin 6-vjeçar.

Salla Operative e Stacionit të Policisë Velipojë u njoftua nga një familje pushuesish se djali i tyre i mitur ishte larguar dhe nuk po e gjenin dot.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit u angazhuan në kërkime intensive në terren.

Falë reagimit të shpejtë dhe profesional, punonjësit e Policisë bënë të mundur lokalizimin e djalit, i cili gëzonte shëndet të plotë, dhe ia dorëzuan familjes.

Prindërit e djalit kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe përkushtimin në këtë rast.

‍♂️ Policia e Shtetit u bën apel pushuesve që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët e tyre, veçanërisht në zonat e mbipopulluara si plazhet.