Himarë
Parkoi automjetin në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugën dhe penguar kalimin e mjetit zjarrfikës, procedohet penalisht 22-vjeçari.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të parkimeve të gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve, veçanërisht të mjeteve të emergjencës, ndërhynë menjëherë pas njoftimit për një automjet të parkuar gabim, në rrugën “25 Marsi”, në qytetin e Himarës.
Gjatë verifikimeve, u konstatua se një automjet tip “BMW” ishte parkuar në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugëkalimin dhe penguar kalimin e një mjeti zjarrfikës, që ndodhej në një situatë emergjente.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, u shoqërua së bashku me automjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë, ku, pas veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, u procedua penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.
Ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Himarë vendosën gjithashtu masë administrative 20 000 lekë, për shkelje të nenit 159 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të ngjashëm që pengon lëvizjen e lirë, veçanërisht të mjeteve të emergjencës.