Borsh, Himarë/Identifikohet dhe shoqërohet në Polici, një shtetas i dyshuar për plagosje

Borsh, Himarë/Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shoqërohet në Polici autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të një shtetasi, pas një konflikti të ndodhur në Borsh.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas njoftimit për një konflikt të ndodhur në një lokal në Borsh, rreth orës 02:20 të datës 31.07.2025, janë angazhuar menjëherë, duke shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet hetimore paraprake dhe këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se pas një konflikti midis disa shtetasve, shtetasi H. Ç. ka plagosur me armë zjarri automatike, shtetasin E. Sh., 33 vjeç, banues në Krujë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është lokalizuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjithashtu, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt.

Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, gjetjen e armës së zjarrit të dyshuar të përdorur dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.