Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 Prill 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet Operacioni i koduar “Gracka”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë nr. 3, Tiranë. Kapet në flagrancë nga Policia një shtetas në tentativë për të vjedhur në garazhet e një pallati në rrugën “Mujo Ulqinaku”. Zbardhen edhe disa vjedhje të tjera që dyshohet se i ka kryer ky shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të bërë për tentativë vjedhjeje në garazhet e një pallati, kanë organizuar punën duke ngritur shërbime grackë. Si rezultat i këtyre shërbimeve u bë e mundur që rreth orës 04:30, të kapet në flagrancë shtetasi E. P, 41 vjeç, banues në Kavajë, (i dënuar më parë për vjedhje). Nga veprimet e para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, bazuar në mekanizmin, mënyrat, vendin dhe territorin ku kishin ndodhur vjedhjet, dyshohet se ky shtetas është autori për vjedhjen e sendeve dhe materialeve në disa garazhe dhe konkretisht: Më datë 11.03.2019, në rrugën “Hajredin Shtino”, në garazhin e marrë me qera nga shtetasi A.G, dyshohet se ka vjedhur 1 kondicioner dhe zinxhirët e gomave të automjetit. Më datë 20.03.2019, në rrugën ‘’Reshit Çollaku’’, në garazhin e shtetasit E.H., dyshohet se ka vjedhur vegla pune si dhe ka dëmtuar derën e mjetit. Vijon puna për dokumentimin e ngjarjeve të tjera, duke u bazuar në pamjet filmike. Materialet në ngarkim të shtetasit E. P., i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Lezhë – Vodhën një mjet furgon, por falë reagimit në kohë të policisë arrestohen në flagrancë autorët. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Ishull Lezhë, pas njoftimit të marë nga shtetasi A. P, se disa persona i vodhën mjetin furgon dhe ishin larguar së bashku me mjetin, menjëherë shërbimet e Policisë të Komisariatit Lezhë, janë vënë në ndjekje të tyre. Policia ka bërë të mundur që brenda një kohe të shkurtër (rreth 20 minuta), të identifikojë dhe arrestojnë në flagrancë dy prej autorëve si dhe të bllokojë automjetin e vjedhur. Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë në një lagje të qytetit të Lezhës shtetasit: A. M.,41 vjeç, banues në Kurbin E. P., 32 vjeç, banues në Lezhë. Është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit R. K., 25 vjeç, banues në Kurbin, me precedent kriminal në fushën e vjedhjeve, i cili mundi të largohej gjatë ndjekjes nga Policia. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Sarandë – Parandalohet dhe goditet një tjetër rast me lëndë narkotike, falë bashkëpunimit me qytetarët.Sekuestrohen 10 kg. lëndë narkotike në një automjet. Arrestohen në flagrancë dy shtetas. Shërbimet e Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin e shitjes së lëndëve narkotike, dyshuar për qëllime trafikimi, falë edhe informacionit të marrë nga qytetarët, kanë organizuar punën, ku kanë bërë të mundur bllokimin e një automjeti të dyshimtë në fshatin Mursi të Konispolit. Pas kontrollit të ushtruar në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi 10 kg lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa. Menjëherë u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, shtetasit L. K., 53 vjeç, dhe shtetasit tjetër shoqërues J. Sh., 31 vjeç, të dy me banim në Gjirokastër. Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.

Kurbin – Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas, të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, ju informojmë se: Si rezultat i punës hetimore të kryer nga grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje. Policia në vijim dhe pandërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit, për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Njëkohësisht grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar, që ata t’u dorëzoheshin organeve të drejtësisë. Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin, pas negociatave me familjarët, janë vetëdorëzuar në Polici. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Tepelenë – Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Vagalat në Tepelenë. Arrestohet në flagrancë 63 – vjeçari, pasi vrau bashkëshorten. Pas njoftimit të marë se shtetasja A. H., banuese në fshatin Vagalat, Memaliaj, u gjet nga familjarët e pajetë në banesë, me dëmtime në kokë, menjëherë u ngrit grupi hetimor ku në bashkëpunim me Prokurorinë kryen veprimet e para procedurale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Stacionit të Policisë Memaliaj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. H., 63 vjeç, i cili dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen A. H., 53 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Mirditë – Kontrolle të imtësishme për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë dy shtetas, pasi gjatë kontrollit, Policia gjeti një sasi kubikësh të kultivuar me fara kanabisi. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit për marrjen e masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, forcat policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët e tjerë që i ngarkon ligji, dhe në mënyrë të veçantë me aleatin më kryesor të Policisë, me qytetarët. Policia e Mirditës pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës hetimore të bërë, si dhe kontrolleve të imtësishme të kryera për këtë qëllim, bëri të mundur gjetjen dhe asgjësimin të disa fidanëve në kubikë, në një ambient të mbyllur, në fshatin Kaçinar, Mirditë. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të dy shtetasve: E. L., 31 vjeç, banues në Lezhë; J. D., 21 vjeç, banues në Krujë. Policia Mirditë në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, po vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vepre penale, për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Vlorë-Policia parandalon një ngjarje të mundshme kriminale duke arrestuar në flagrancë një person me armë zjarri. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri “pistoletë” me fishek në gojë. Seksioni për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë patrullimit në orët e mbrëmjes së djeshme në qytetin e Vlorës, kanë konstatuar një person të dyshimtë, i cili porsa ka parë Policinë, ka tentuar të largohet me vrap. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë bërë të mundur kapjen e tij. Gjatë kontrollit personal që iu bë këtij shtetasi, Policia i gjeti një armë zjarri “pistoletë” së bashku me 8 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, nga këta: 19 janë arrestuar në flagrancë, 52 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 janë ndaluar.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 7 raste në qarkun Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Fier, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Gjirokastër, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 1 në qarkun Tiranë, 2 në Vlorë, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje’’, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të “Dhuna në familje”, 1 rast në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 rast në Durrës dhe 1 në Elbasan, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 4 kërkesë-padi, për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë. Për 6 rastet e tjera në gjithë territorin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, 2 në Elbasan, 2 në Korçë, 2 në Shkodër, 1 në Dibër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 11 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 4 drejtues mjeti të papajisur me leje drejtimi, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Vlorë, të cilët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 në qarkun Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 drejtues mjeti që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët janë ndaluar.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.