DVP Vlorë, gjatë 24 orëve të fundit

DVP Vlorë/Vijon goditja ndaj veprimtarive kriminale, 4 të arrestuar për vjedhje dhe prodhim e shitje të narkotikëve, 3 të shpallur në kërkim për plagosje të lehtë me dashje dhe 1 i mitur i proceduar penalisht për vjedhje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, pas hetimeve intensive, ndaluan shtetasit: I. Y., 27 vjeç dhe A. J., 39 vjeç, të dyshuar për dy raste vjedhjeje në qytetin e Vlorës. Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas kanë vjedhur pajisje elektrike dhe sende të ndryshme nga një dyqan dhe një kopsht. Disa nga sendet e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan një shtetas të mitur, 17 vjeç, banues në Piqeras, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan shtetasin R. V., 24 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë shpallën në kërkim dhe referuan materialet në Prokurori për shtetasit N. B., 20 vjeç, L. Q., 20 vjeç dhe B. O., 18 vjeç, banues të tre në Sarandë, pasi më 13.03.2025, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta dhe grushte shtetasin Sh. M., 22 vjeç, banues në fshatin Metoq.

Po nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për një shtetas të mitur, 17 vjeç, i dyshuar për vjedhjen e një shume parash në një banesë në Ksamil.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.