Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Oficerin e Prokurorisë, arrestuan në flagrancë shtetasit S. S., 23 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe, L. C., 29 vjeç, dhe E. F., 39 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 11.03.2025, rreth orës 15:30, për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, në ambientet e jashtme të Terminalit të Portit Detar Vlorë, një punonjës policie të Kufirit dhe Migracionit, gjatë detyrës.

Po nga këta specialistë, u referuan materiale në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin B. D., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim nëna e një 14-vjeçareje, duke pretenduar se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e saj të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për shtetasin T. T., 75 vjeç, banues në fshatin Sevaster, pasi më datë 11.03.2025, në afërsi të banesës së tij, dyshohet se ka kanosur me fjalë dhe me mjet të mprehtë (sëpatë), për shkak të detyrës, gazetaren dhe kameramanin e një emisioni investigativ.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit A. M., 37 vjeç, E. M., 32 vjeç, M. O., 24 vjeç, A. M., 21 vjeç, dhe K. M., 43 vjeç, pasi më datë 09.03.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin M. K., 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materiale dhe nisën procedimin penal për shtetasin Th. N., banues në Sarandë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi S. B., 59 vjeç, banues në Sarandë, se ky shtetas i ka dëmtuar imazhin e tij dhe i ka publikuar fotografi që ekspozojnë jetën e tij private.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.