Transportonin me 2 automjete, veshje dhe aksesorë të kontrabanduar, me vlerë rreth 50 000 euro, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Njëri prej tyre, pronari i dyqanit ku do të shiteshin mallrat.
Sekuestrohen mallrat, 2 automjetet dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tregtimit të veshjeve dhe aksesorëve të kontrabanduar, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Tiranë finalizoi operacionin “Furnizimi”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. K., 33 vjeç, K. K., 64 vjeç dhe S. K., 34 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Në rrugën “Teodor Keko”, janë ndaluar automjetet me drejtues shtetasit A. K. dhe K. K., si dhe pasagjer shtetasin S. K., në të cilat nga kontrollet janë gjetur 16 çanta dhe valixhe, me veshje dhe aksesorë, pa fatura blerjeje. Nga veprimet hetimore dyshohet se mallrat e kontrabanduara do të shiteshin në dyqanin e 33-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.