DVP Tiranë
Goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në doza, në Tiranë dhe në Vorë.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre bashkëpunëtorë).
Sekuestrohen doza kokaine dhe kanabisi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve. Si rezultat, janë arrestuar shtetasit:
L. F., 28 vjeç dhe E. L., 29 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi dyshohet se shitnin doza të lëndëve narkotike, në zona të ndryshme në Tiranë;
E. D., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se shiste doza të lëndëve narkotike, në zona të ndryshme në Vorë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, kontrollit në automjetet dhe në banesat e tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.