THIRRJE PËR APLIKIM PËR POZICIONIN DREJTOR I DREJTORISË VENDORE TË POLICISË
Mbështetur në pikën 1, pikën 2 shkronja “c”, dhe “l” të nenit 55, piken 3 dhe 4 të nenit 61, të Ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”, Policia e Shtetit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë.
APLIKANTI DUHET TË PLOTËSOJË KËTO KRITERE
Kritere të përgjithshme:
- a) Të mbajë gradën “Drejtues” ose “Drejtues i Pare”;
- b) Të ketë shtetësi shqiptare;
- c) Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 3 (tre) vjetëve të fundit;
- d) Të jetë në kushte shëndetësore, që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- dh) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
DOKUMENTACIONI, MËNYRA, AFATI I DORËZIMIT DHE VLERËSIMI
Kandidatët, brenda datës 29.10.2024, ora 16.30 duhet të dorëzojnë kërkesë me shkrim drejtuar Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve, për të shprehur interesin për pozicionin e “drejtor vendor i policisë”
Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:
- a) një jetëshkrim i përditësuar;
- b) një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 15 faqe, në llojin e shkrimit Time New Roman, madhësia 12, me hapësirë midis rreshtave 1.15;
- c) vetëdeklarimin, sipas ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;.
ç) vërtetim të gjendjes gjyqësore, lëshuar nga organi kompetent shtetëror, i lëshuar jo më herët së 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
- d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm, që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;
- dh) vlerësimet profesionale dhe etike të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;
- e) dokumentacionin e përshtatshëm që provon arritjet gjatë studimeve të larta dhe në trajnime, dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;
ë) dokumentacionin e përshtatshëm, që provon rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
- f) kopje të dëshmive të gjuhëve të huaja, nëse ka;
- g) kopje të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;
- gj) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët së 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
- h) vetëdeklarim që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;
- i) vetëdeklarim që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinore dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit;
- j) autorizimin për Komisionin e Vlerësimit të Aplikimeve,
VLERËSIMI
Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, KVA-ja publikon në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit emrat e kandidatëve.
Brenda afatit 10 ditor nga momenti i mbylljes së fazës së aplikimeve, KVA-ja kryen vlerësimin paraprak të aplikimeve, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Nëse është e nevojshme, pa kaluar afatin e parashikuar në këtë pike, KVA-ja kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike apo punëdhënësit të kandidatit.
Në përfundim të vlerësimit paraprak, KVA-ja harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.
KVA-ja merr vendim për skualifikimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët, në mënyrë të posaçme dhe të arsyetuar për shkaqet e skualifikimit.
KVA-ja organizon intervistën me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 48 orë përpara për datën, vendin dhe orën e intervistës. Anëtarët e komisionit i drejtojnë pyetje kandidatit në përputhje me kriteret e vlerësimit, të përcaktuar në VKM-në Nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”.
Seanca e intervistës për secilin kandidat mbahet në praninë e të gjithë anëtarëve të komisionit. Intervista do të fokusohet në fushat e vlerësimit të kandidatit
KVA-ja vlerëson dokumentacionin e dorëzuar nga kandidati, të mbledhur nga KVA-ja dhe informacionin e dhënë gjatë intervistës për të përfunduar vlerësimin. Secili nga anëtarët e KVA-së bën vlerësimin e kandidatëve me pikë, sipas rubrikave të përcaktuara në formularin e vlerësimit.
Çdo kandidat ka të drejtën e ankimit pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave për shkeljet procedurale të pretenduara, brenda 2 ditëve nga shpallja e rezultateve paraprake.
Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë teknike të KVA-së, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Bulevardi Bajram Curri, Tiranë, sipas formularit model tip të dorëzimit të dokumenteve.
Formularët model tip, duhet ti shkarkoni në linqet e mëposhtme:
- Formular dekriminalizimi
- Deklaratë për konfliktin e interesit e kandidatit
- Vetëdeklarim për largimin nga puna dhe masa disiplinore
- Autorizim për verifikimin e figurës dhe integritetit
- Formular për vlerësimin e kandidatit sipas VKM, Nr 641, datë 16.10.2024
Afati i dorëzimit të aplikimit: Deri në 29 Tetor 2024 ora 16.30