Finalizohet operacioni policor i koduar “IDENTITETI”, në fushën e falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit, finalizoi operacionin policor “IDENTITETI”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasi R. Y., 30 vjeç, banues në Mërtiraj, Vlorë, punonjës i gjendjes civile Vllahinë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ”Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Gjithashtu ndiqet në gjendje te lirë shtetasja K. P., punonjëse e gjendjes civile Durrës, për veprat penale ”Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve V. Z., i cili ka aplikuar për pasaportë me gjeneralitetet e një personi tjetër që kishte ndërruar jetë në vitin 1997, por nuk e kishin ç’regjistruar nga Regjistri i Gjendjes Civile, si dhe E. K, punonjësi i kompanisë Aleat, pasi i ka vënë gjurmët e gishtave për aplikim për pasaportë të personit V. Z.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.