Durrës/Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin K. S., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi ka vjedhur kabllot e energjisë elektrike dhe disa pajisje, në banesën e shtetasit D. D..
Po nga këto struktura u arrestua shtetasi A. Ç., 23 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, nuk është gjetur në banesë, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim L. Xh., 28 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.