Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Blind”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, tentativa e vjedhjes së një banese në Prush, ku personat e dyshuar, sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, e më pas janë larguar.
Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Të ndaluarit janë gjithashtu autorë të dyshuar të një vjedhjes së një argjendarie në Kamëz, dhe të një vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.
Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, krëhra e municion luftarak, një automjet, 8 aparate celulare dhe 3 karta sim, dhe një pajisje GPS.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, dhe Komisariatin e Policisë Kurbin, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, bazuar në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blind”.
Si rezultat i tij u ndaluan shtetasit:
-K. C., 37 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,
-K. B., 32 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasit F. T., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit K. C., dhe F. T., më datë 09.12.2023, kanë tentuar të vjedhin në një banesë në fshatin Prush, dhe sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë hapur zjarr ndaj tyre, me armë, dhe janë larguar me një automjet tip “Audi”, në pronësi të shtetasit K. B.
Gjithashtu, dyshohet se këta shtetas janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.11.2023, ku është vjedhur një argjendari në Kamëz, dhe të vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta të çmontuara, të gjetura në banesën e shtetasit K. B., një automjet, 8 aparate celulare dhe tre karta sim, dhe një pajisje GPS.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Brands”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Vihet në pranga 29-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
29-vjeçari, në bashkëpunim me babain e tij, kontrabandonin nga Turqia, veshje të ndryshme, i stamponin logo false të markave të njohura dhe i shitnin me çmime shumë të larta.
Më parë, gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Brands”, dhe kanë ndaluar shtetasin në kërkim D. A., 29 vjeç.
29-vjeçari, në bashkëpunim me babain e tij, magazinonin në banesën e tyre dhe në dy subjekte në rrugën “5 Maji”, mallra (veshje) të dyshuara të kontrabanduara nga Turqia, të cilave i vendosnin logo dhe etiketa të markave të njohura, me qëllim për t’i shitur me çmime shumë të larta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kurbin
Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në terren, për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, zbulohet një subjekt në Milot, ku kryhej në kundërshtim me ligjin, veprimtaria e përpunimit të inerteve që merreshin pas gërryerjes së shtratit të lumit Mat.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kurbin, operacioni policor i koduar “Riverside”.
Sekuestrohen 12 mjete të rënda (5 kamionë, 3 ekskavatorë, 2 fadroma dhe 2 impiante përpunimi inertesh) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas të punësuar në këtë subjekt.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë (administratori i subjektit dhe një punonjës).
Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve 27/7, të mbështetura te puna e inteligjencës policore dhe që kryhet në të gjithë territorin e rrethit, me fokus prandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Riverside”.
Gjatë operacionit, në Milot, është ushtruar kontroll në një subjekt për përpunimin e inerteve, në pronësi të shtetasit B. A. Nga verifikimet e kryera rezultoi se veprimtaria në këtë subjekt kryhej në kundërshtim me ligjin, sepse përveç se dëmtonte mjedisin, kryhej pa dokumentacionin përkatës, punonjësit ishin të paregjistruar dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 mjete të rënda (5 kamionë, 3 ekskavatorë, 2 fadroma dhe 2 impiante përpunimi inertesh) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast janë arrestuar në flagrancë 2 punonjës të subjektit, shtetasit R. Sh., 57 vjeç dhe A. D., 59 vjeç, të dy banues në Milot.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratori i subjektit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda, shtetasi B. A., 58 vjeç banues në Milot, si dhe një punonjës i subjektit, shtetasi P. T., 60 vjeç, banues në Krujë. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve, në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse. Në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre akteve, do t’iu sekuestrohen mjetet dhe do t’iu ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.
Shkodër
Tentoi të vriste ish-vjehrrin e tij, duke përplasur me automjet, biçikletën me të cilën ai po lëvizte, në korsinë e dedikuar, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari.
Sekuestrohet automjeti që drejtonte 48-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte përplasur me automjetin që drejtonte, biçikletën me të cilën lëvizte një 68-vjeçar, në korsinë e dedikuar, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin:
E. Ç., 48 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë.
Ky shtetas, më datë 02.03.2024, në rrugën “Marin Biçikemi”, dyshohet se për motive të dobëta, me automjetin që drejtonte, ka përplasur me dashje biçikletën me të cilën po lëvizte në korsinë e dedikuar për biçikleta, ish-vjehrri i tij, shtetasi A. U., i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Automjeti që drejtonte shtetasi E. Ç. është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Në zbatim të masave të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Transportuesi 4”.
Transportuan një armë zjarri, nga Kosova, me qëllim shitjen e saj te persona të tjerë në Tiranë, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, krëhri me municionin luftarak, një silenciator, një automjet dhe një aparat celular.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të zbatimit të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për dy shtetas që dyshohej se kishin transportuar një armë zjarri pistoletë, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi 4”.
Si rezultat i tij, në rrugën “Dritan Hoxha”, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. F., 19 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, dhe një silenciator, që ishin sjellë në Shqipëri për tu shitur tek persona të tjerë.
Arma e zjarrit, krëhri, municioni luftarak, silenciatori, automjeti dhe një aparat celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti, për motive pronësie, mes 3 shtetasve.
Dhunuan për motive pronësie, fqinjin e tyre, vihet në pranga një 38-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë vëllai i tij.
Sekuestrohen 1 armë zjarri automatik dhe sasi municioni luftarak, të gjetura në banesën e 38-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se dy vëllezër kishin dhunuar fqinjin e tyre, për motive pronësie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Prevention”, për parandalimin e përshkallëzimt të konfliktit.
Gjatë këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Xh. N., 38 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi I. N., 33 vjeç, të dy banues në Pezë Helmës.
Këta dy shtetas janë konfliktuar dhe kanë kanosur për motive pronësie, fqinjin e tyre, shtetasin J. C.
Gjatë kontrollit të banesës së 38-vjeçarit të arrestuar, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri automatik dhe sasi municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kuçovë
Policia zbardh 2 vjedhje të kryera gjatë 24 orëve të fundit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “The end”.
Vodhi bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, në 2 banesa, si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Policisë Kuçovë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, bënë të mundur zbardhjen e 2 vjedhjeve të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit, në Kuçovë.
Si rezulat i provave të sigurura në kuadër të operacionit policor të koduar “The end”, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K., 36 vjeç, banues në Kuçovë.
Ky shtetas dyshohet se gjatë orëve të para të datës 02.03.2024, ka vjedhur në banesën e shtetasit E. Z. dhe në banesën e shtetasit Ç. K., bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligor të këtyre dy rasteve, si dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 26.02.2024, në lagjen nr. 3, ku një shtetas i paidentifikuar vendosi lëndë eksplozive në banesën e një shtetasi.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë i mundur identifikimi i shtetasit të dyshuar si autor i vendosjes së lëndës eksplozive.
Nga verifikimet e kryera rezulton se ky shtetas ka dalë nga Shqipëria, një ditë pas ngjarjes.
Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Durrës, pas një pune të thelluar hetimore, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, bazuar në këqyrjen e kamerave dhe në inteligjencën policore, kanë bërë të mundur idemtifikimin e autorit të vënies së lëndës eksplozive në banesën në pronësi të shtetasit L. K., ku si pasojë e shërthimit pati vetëm dëme materiale.
Nga veprimet e shpejta dhe profesionale hetimore, administrimi i provave në vendngjarje, si dhe këqyrja e kamerave, dyshohet se autori është larguar me një automjet të marrë me qira, drejt lagjes nr. 6.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim autori i dyshuar, shtetasi F. Ll., i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit.
Vijon puna intensive për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.
Policia e Shtetit
Tjetër operacion i suksesshëm i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me partnerët në agjencinë federale amerikane.
Deportohet në Shqipëri, për t’u përballur me akuzat për disa vepra të rënda penale, një 54-vjeçar në kërkim ndërkombëtar, I cili në vitin 2013 kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.
54-vjeçari, i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 25 vjet burgim, për disa vepra penale.
Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE-ERO (Departamenti Sigurisë Kombëtare/Agjencia ligjzbatuese e Emigracionit dhe Doganave), prej disa kohesh kanë punuar së bashku për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar:
Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, 54 vjeç.
Këtë shtetas, Gjykata e Salernos, Itali, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Leonard Mnella do të jetë subjekt hetimesh në Shqipëri, për ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në Shqipëri.
Ky shtetas, ndërkohë që ishte në arrati, në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.
Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me dy agjencitë amerikane, nëpërmjet informacioneve të shkëmbyera, kanë arritur të identifikojnë, të lokalizojnë dhe të arrestojnë shtetasin shqiptar Leonard Mnela, në Miçigan, Shtetet e Bashkuara, dhe kane bërë të mundur deportimin e tij në Shqipëri.
Do të vazhdojë puna, në bashkëpunim me prokurorinë, për hetimin e thelluar të veprimtarive kriminale të kryera nga ky shtetas.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Trinom”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti për motive të dobëta, mes 3 shtetasve.
Vihet në pranga një 21-vjeçar, pasi kanosi me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti të çastit, për motive pronësie.
Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, që u gjetën në banesën e 21-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit për një konflikt të çastit mes disa shtetasve, gjatë të cilit njëri nga shtetasit kishte kanosur me armë zjarri një 26-vjeçar, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Trinom”, për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Gjatë këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 21 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasi E. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, dhe një shtetas 17 vjeç.
Këta shtetas janë konfliktuar dhe kanë kanosur me armë zjarri, për motive pronësie, shtetasin E. Ç., 26 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, krehra dhe municion luftarak të llojeve të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 215 shtetas, konkretisht: 71 shtetas janë vënë në pranga, 124 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 20 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 20 raste- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 6 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për krime në këtë fushë, janë kapur.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 19 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë kryer 3 tentativa për vrasje, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 18 raste- 21 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 12 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar.Për rastet e tjera: 6 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 24 raste, 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 18 shtetas janë vënë në pranga, 10 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në këtë fushë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 17 raste- 7 shtetas janë vënë në prang, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve me funksione publike, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Goditjet për shkak të detyrës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Vepra të turpshme”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, në Lushnjë, për zbardhjen e të cilit, vijojnë hetimet;
-1 rast i veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
-3 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Vetëgjyqsia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë, janë kapur.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilave 9 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 40 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 16 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.