Raporti i ngjarjeve, 29 shkurt 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë

Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”. 

Kapen dhe vihen në pranga, nga strukturat e Komisariarit të Policisë Nr. 4 dhe të Komisariatit të Policisë Nr. 5, dy shtetas të shpallur në kërkim.   

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e dy shtetasve në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tyre, përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i kontrolleve:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën dhe ndaluan shtetasin D. H., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë. Ky shtetas dyshohet se më datë 03.06.2023, në Paskuqan, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), një 24-vjeçar; 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën dhe ndaluan shtetasin A. B., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.  

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Pukë

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë, parandalon një ngjarje të mundshme kriminale.

Kanosi me armë zjarri kallashnikov, fqinjin e tij, gjatë një konflikti për motive pronësie, Policia arreston në flagrancë 50-vjeçarin.

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov dhe një krehër me fishekë, që i posedonte 50-vjeçari, pa leje. 

Pasditen e djeshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë marrë njoftim për një konflikt për motive pronësie mes 2 shtetasve, në fshatin Micoj, Fushë Arrëz.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në këtë fshat dhe si rezultat i veprimeve të shpejta, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit A. C., 50 vjeç.

Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri  kallashnikov, fqinjin e tij, shtetasin Y. C., 35 vjeç. 

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe një krehër me fishekë, të cilat shtetasi A. C. i mbante pa lejen përkatëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 11 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 6 raste, 3 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit shtetëror- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i kalimit të kundërligjshëm të kufijve, organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, vjedhjes së energjisë elektrike, krimeve kibernetike, shpërdorimit të detyrës dhe deklarimit të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore, me 8 shtetas në total të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.