Raporti i ngjarjeve, 26 janar 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Vau i Dejës

Dhunoi bashkëshorten dhe 4 fëmijët e tyre të mitur, si dhe i kanosi ata për jetën, me mjete prerëse, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 50-vjeçari.

Sekuestrohen 2 mjete prerëse (sëpatë dhe thikë).

Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se një shtetas dhunonte dhe kanoste, bashkëshorten dhe 4 fëmijët e mitur, në banesën e tyre, në fshatin Toplane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje.

Si rezultat është kapur në flagrancë dhe është vënë në pranga autori i rastit, shtetasi P. L., 50 vjeç.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 mjete prerëse (sëpatë dhe thikë), me të cilat i arrestuari kanoste për jetën, bashkëshorten dhe fëmijët.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Berat

Tentuan t’i vidhnin paratë nga xhepi, një shtetasi të moshuar, ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bën të mundur arrestimin në flagrancë të 2 autorëve.

Të 2 të arrestuarit, të dënuar më parë për vjedhje.

Gjatë patrullimeve 24/7, për të parandaluar paligjshmëritë dhe për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë konstatuar se 2 shtetas po tentonin t’i vidhnin një shumë parash, nga xhepi, një shtetasi të moshuar.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme janë vënë në pranga autorët e rastit, shtetasit K. Y., 41 vjeç dhe A. B., 50 vjeç, të dy banues në Berat.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë

Brenda 12 orëve të fundit, parandalohet një tjetër ngjarje kriminale në familje, falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të strukturave të DVP Tiranë.   

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe mbrëmjen e djeshme, e kishte mbyllur atë në banesë, së bashku me familjarët, duke i kanosur se do t’i vriste, me mjet prerës (sëpatë).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte mbyllur në banesë, familjarët e tij (bashkëshorten me nipërit dhe mbesat), në rrugën “Pavarësia”, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 66 vjeç, banues në Tiranë. 

Shtetasi R. S., mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, në rrugën “Pavarësia”, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e ka mbyllur atë në banesë, së bashku me nipërit dhe mbesat, dhe i ka kanosur ata me mjet prerës sëpatë, që të mos lajmëronin Policinë.   

Mjeti prerës (sëpatë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. 

Fier/Vijon megaoperacioni kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacioneve të mëparshme të Policisë.

Bashkëpunëtor për transportimin e 11 emigrantëve (rast i goditur nga Policia, më datë 4 janar), lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore dhe në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe ndaluan shtetasin A. T., 31 vjeç, banues në Fier.

31-vjeçari ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Tranzit”, pasi dyshohet se më datë 04.01.2024, ka bashkëpunuar me shtetasit L. M., K. M. dhe E. M. (të tre, ende në kërkim), për të transportuar kundrejt pagesave, 11 emigrantë nga Vendet e Treta, në mënyrë që ata të kalonin kufirin, në kundërshtim me ligjin.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.  

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga dhe 59 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 6 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës/tentativës për vjedhje të pronës, janë evidentuar 8 raste, 2 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale. Gjithashtu, janë konstatuar 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, mbetur në tentativë, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Keqtrajtimi i të miturit”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Më tej, janë kapur dhe ndaluar shtetasit në kërkim: 2 në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, 1 për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 për veprimtari kriminale në fushën e prostitucionit, 2 për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, si dhe 1 për veprat penale “Përndjekja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Kanë ndodhur 9 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 11 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.