Gramsh – Zbardhet ngjarja e ndodhur paraditen e djeshme, në fshatin Lënie, ku humbi jetën punëtori i një firme ndërtimi, për shkak se u dëmtua nga automjeti i firmës.

Gramsh

Zbardhet ngjarja e ndodhur paraditen e djeshme, në fshatin Lënie, ku humbi jetën punëtori i një firme ndërtimi, për shkak se u dëmtua nga automjeti i firmës.

Arrestohet drejtuesi i kamionçinës së firmës, i cili kreu manovra të gabuara me automjetin që dëmtoi 51-vjeçarin.

Sekuestrohet kamionçina.

Nga hetimet e thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, menjëherë pas ngjarjes që ndodhi dje, në fshatin Lënie, ku humbi jetën shtetasi F. V., 51 vjeç, pasi u dëmtua nga automjeti i firmës ku punonte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan shtetasin K. H., 53 vjeç, banues në fshatin Mollas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Arrestimi i 53-vjeçarit u bë pasi rezultoi se gjatë procesit të punës për ndërtimin e një hidrocentrali, ka kryer manovra të gabuara me kamionçinën që drejtonte (automjet në pronësi të firmës së ndërtimit), dhe si pasojë është dëmtuar shtetasi F. V., 51 vjeç, i cili humbi jetën gjatë transportimit në spital.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti kamionçinë që dëmtoi shtetasin F. V.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.