Tiranë/Vihen në pranga 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. M., 40 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike heroinë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaluan shtetasin E. K., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
- B. K., 31 vjeç, banues në Domje, A. M., 59 vjeç, dhe B. Sh., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;
- Xh. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor Teg-Sauk, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin N. H., i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Në SUT janë paraqitur për ndihmë mjekësore, dy shtetas të mitur të moshës 5 vjeç, të cilët dyshohet se aksidentalisht janë rrëzuar në kopshtet që ata frekuentojnë, njëri në rrugën “Androniqi Antoniu Zengo” dhe tjetri në rrugën “Irfan Tomini”. Materialet për këto dy raste i kanë kaluar Prokurorisë, për vlerësim.