Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Kontrolle në malin e Tomorit, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në drejtim të nxjerrjes së pllakave të gurit dekorativ.
Procedohet penalisht shoferi i kamionit dhe 2 administratorë subjektesh, të cilët dyshohen se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit.
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në të cilin shfaqeshin disa shtetas duke nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pllaka guri dekorative, nga zona e mbrojtur e malit të Tomorrit dhe më pas i transportonin ato, me kamion, ju bëjmë me dije se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar dhe specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Berat, bazuar në pamjet filmike, kanë kryer veprimet hetimore dhe në bashkëpunim me ADZM Berat, kanë verifikuar kamionin me të cilin po transportoheshin pllaka guri dekorative.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për drejtuesin e automjetit, shtetasin A. Y., 36 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për 2 shtetas të tjerë, administratorë subjektesh, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”, konkretisht:
D. L., 29 vjeç, banues në Bogovë, Skrapar dhe M. L., 39 vjeç, banues në Poliçan, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në subjektet e tyre, me aktivitet grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e gurëve dekorativë, u gjetën pllaka guri dekorative, pa dokumentacionin përkatës, të cilat dyshohet se janë nxjerrë në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit. Gjithashtu, u konstatua një punonjës i pasiguruar.
Shërbimet e Policisë po zhvillojnë hetime dhe po kontrollojnë 3 mjete ekskavatorë, të cilët u konstatuan në afërsi të disa karierave të përpunimit të gurit, në këtë zonë. Këto mjete, në vitin 2020, janë bllokuar nga Policia dhe janë lënë në malin e Tomorit, pasi ishin me defekt.
Policia e Beratit është e angazhuar për të trajtuar me profesionalizëm, paanshmëri dhe në kohë, çdo denoncim që vjen nga gazetarët apo qytetarët, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe luftën ndaj paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm.