Raporti ditor, 26 tetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër/Informacion paraprak-Në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër,  dyshohet se pas një konflikti të çastit mes shtetasit K.F dhe vëllezërve  D. K e A. K, shtetasi K.F dyshohet se ka qëlluar  me armë zjarri  pistoletë dhe është larguar.  Nuk ka persona të lënduar.Shërbimet e Policisë dhe një grup i FNSH-së Shkodër po kontrollojnë zonën me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorit.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë  po vijon veprimet  për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor  të ngjarjes.

Port Vlorë-Goditet një tjetër rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.Kishte fshehur nën dyshemenë e rimorkios së kamionit, dhjetëra steka me cigare, me qëllim kontrabandimin e tyre, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari.Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një mjet kamion me drejtues shtetasin B. R.Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, nën dyshemenë e rimorkios, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura rreth 380 paketa me cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin B. R., 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale  “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan / Sekuestrohen pasuri me vlerë 400 000 euro, në pronësi të një 34-vjeçari të dënuar me 13 vjet burgim në Norvegji, si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikim të narkotikëve.Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada 2”.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore të kryer për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme që kanë si burim veprimtari të ndryshme kriminale, finalizuan operacionin policor të koduar “Fasada 2”.Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria, ka vendosur  sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasit Daniele (Oklid) Çela, 34 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas është dënuar me 13 vjet burgim, në Norvegji, si autor i tafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet në këtë shtet.Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme të 34-vjeçarit, me vlerë rreth 400 000 euro, konkretisht janë sekuestruar: një apartament, një biznes (lokal) dhe garazhi i tij, në lagjen “Visarjon Xhuvani”, Elbasan dhe një ndërtesë dykatëshe, në Peqin.Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara nga veprimtari kriminale, që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 15 janë arrestuar, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre mbetur në tentativë, me 2 shtetas të arrestuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë dhe 11 shtetas të tjerë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprave penale në fushën e armëmbajtjes pa leje, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të arrestuar.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 5 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon punën Policia dhe me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 5 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Prishja e qetësisë publike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 5 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, si pasojë e të cilëve 10 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.