Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Fier – Finalizohet faza e tretë e operacionit policor të koduar “Zhavar”. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, shpallet në kërkim djali i njërit prej tyre. Në vijim të hetimeve të thelluara për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zhavar”, gjatë kontrollit të imtësishëm të territorit, në vendin e quajtur “Nikas”, në fshatin Mujalli, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit T. S., 61 vjeç dhe E. S., 34 vjeç (babë e bir); I. S., 57 vjeç dhe A. S., 51 vjeç (vëllezër), të katërt banues në fshatin Daullas, Fier. Gjithashtu u shpall në kërkim edhe djali i shtetasit A. S., shtetasi Dh. S., 21 vjeç. Nga veprimet hetimore rezultoi se njëri prej autorëve të arrestuar gjatë fazës së parë të operacionit, konkretisht shtetasi F. G., 40 vjeç, në bashkëpunim me këta 5 shtetas, kanë kultivuar bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, në tokën në pronësi të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Rinas/Kontrolle të shtuara për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihet në pranga një shtetas sirian i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në pranga dhe një shtetase siriane, e cila tentoi të dilte nga Shqipëria, me dokumente të falsifikuara. Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, krahas punës për përballimin me sukses të fluksit të shtuar të lëvizjes së shtetasve shqiptarë dhe të huaj, gjatë sezonit veror, kanë intensifikuar edhe masat për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë kontrollit të detajuar të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Interpol Tiranën kanë ndaluar shtetasin sirian W. A., 42 vjeç. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Abu Dhabi, për veprën penale “Mashtrime financiare”, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”. U bë arrestimi provizor i 42-vjeçarit, me qëllim ekstradimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasve që dalin nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, shërbimet e Policisë kanë krijuar dyshime për një shtetase të huaj që kishte paraqitur pasaportë estoneze. Pas kontrollit në laboratorin e Policisë Kufitare ka rezultuar se pasaporta që kishte paraqitur shtetasja H. C. kishte të dhënat e një shtetaseje tjetër dhe kishte një vulë të kontrollit kufitar, të dyshuar të falsifikuar. Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetases H. C., me shtetësi siriane, për veprat penale “Falsifikimi i leternjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formulareve”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Korçë – Më datë 23.07.2022, rreth orës 01:30, në lagjen nr. 10, Korçë, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht automjeti tip “Smart” në pronësi të shtetases L. Z., 34 vjeçe, banuese në Korçë, i parkuar në afërsi të banesës së saj. Nga hetimet e kryera, dyshohet se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve si edhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 53 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 3 janë arrestuar në flagrancë dhe 42 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 të arrestuar, 3 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste, me 6 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve mjedisore, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, me autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste, me 5 të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar i rast i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 autorë të ndaluar, 1 të shpallur në kërkim dhe 1 të proceduar n gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i tregtimit të mallrave kontrabandë, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.