Vijojnë operacionet policore kombëtare dhe ndërkombëtare, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ndaj personit, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo atyre të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për goditjen e krimeve mjedisore, lojërave të fatit, krimeve ekonomike, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin.
•Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 530 persona, nga këta: 144 janë arrestuar, 360 janë proceduar penalisht dhe 26 janë shpallur në kërkim.
•Janë kapur në total 43 persona në kërkim, 39 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar.
•Janë zhvilluar 27 operacione policore, të koduara: “Black”, “Camouflage 6’’, ‘’Camouflage 7”, “Two”, “Extortion”, “Tracing”, “Sei”, “Tranzit 17”, “Gjurmimi”, “Piaza”, “Cloned key”, “Dealers 2”, “Livadhi”, “Bamatati”, “Butrinti”, “Radomira”, “ROAD GUARD 19”, “Samos”, “Servisi”, “Barrikada”, “Perimetri”, “Basti i fundit”, “Ishulli”, “Bratosh”, “Luzi”, “Black Cargo”, të cilat kulmuan me operacionin policor “Golden bullet”.
•Operacioni policor i koduar “Golden bullet” u zhvillua për goditjen e grupeve kriminale që vepronin në fushën e krimeve të rënda ndaj personit, në kuadër të të cilit, deri tani, janë ekzekutuar 18 masa sigurie dhe janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale. Operacioni është në vijim.
•Në PKK Port Durrës është duke vijuar operacioni policor i koduar “Black Cargo”, për goditjen e trafikimit të drogave të forta, gjatë të cilit, deri tani, janë sekuestruar 59 kg kokainë.
•Si rezultat i operacioneve dhe goditjeve nga DVP në qarqe, janë sekuestruar dhjetëra doza me kanabis, heroinë dhe kokainë, 190000 fara kanabisi, vaj kanabisi, qindra bimë narkotike, pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, mallra të ndryshëm të dyshuar të kontrabanduar, rreth 32000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, radio policie, 1 automjet i vjedhur dhe çelësa të klonuar që shërbenin për të vjedhur automjete.
•Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 18 raste dhe janë sekuestruar 8 armë zjarri, 1 pistoletë sinjalizuese, 8 thika, doreza metalike, 1 shkop bejsbolli, municion luftarak etj.
•Janë goditur 6 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 45 raste të dhunës në familje.
•Janë evidentuar dhe goditur 32 raste të krimeve mjedisore; 7 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
•Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 34 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 32 raste.
Policia Rrugore/Makina inteligjente “Poliscan”, lexuesi automatik i targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamera dhe mjete të tjera të pauniformuara, monitorime intensive në akset e cilësuara me risk, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
•Gjatë kësaj jave janë pezulluar 656 leje drejtimi, nga të cilat: 496 për tejkalim shpejtësie mbi normat e lejuara, 111 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 49 për qarkullim në sens të kundërt.
•Janë arrestuar 69 drejtues mjetesh, nga këta: 23 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 46 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
•Janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, njëri prej tyre për drejtim automjeti nën efektin e lëndëve narkotike dhe njëri për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
•Janë vendosur 17553 masa administrative, si dhe janë zvilluar kontrolle të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe për respektimin e vijave të bardha.
Policia Kufitare/Kontrolle intensive në pikat e kalimit, në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe trafiqeve të paligjshme.
• Gjatë kësaj jave janë kapur 12 shtetas në kërkim, nga të cilët 8 në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar.
•Janë proceduar penalisht 8 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 4 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
•Janë goditur 2 raste të paligjshmërisë, një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike nëpërmjet pikave të kalimit kufitar dhe një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.
•Gjithashtu, janë goditur 3 raste të mitëdhënies dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët, për shkak të mangësive në dokumentacion, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Kufitare.
Policia e Shtetit është e angazhuar në kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe po bashkëpunon ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është në shërbim të tyre dhe në zbatim të ligjit, si dhe i fton sërish ata për të denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.