Konferencë e përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua konferenca për shtyp ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle.

Në fokus në konferencës ishte zbatimi i detyrimeve që parashikon marrëveshja e ekstradimit, në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave të shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Spanjës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle, po ashtu dhe angazhimin e Policisë shqiptare, për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga Spanja.

Në vijim, fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, fjala e atasheut të Ministrisë së Brendshme spanjolle dhe e drejtuesit të FAST Spanjës.

Gledis Nano:

“I nderuar z. Bellido, atashe i Ministrisë së Brendshme spanjolle,

I nderuar z. Fernandez, drejtues i FAST Spanjës,

I nderuar z. Caamaño, oficer ndërmjetës i autoriteteve spanjolle në Shqipëri,

Jemi këtu sot, së bashku me partnerët e Policisë së Mbretërisë së Spanjës, për të informuar qytetarët e të dy vendeve tona, ata të BE-së dhe më gjerë, se bashkëpunimi ndërmjet policive dhe agjencive ligjzbatuese po vijon të thellohet dhe po shkon në drejtimin e duhur, ku gjithsecili dëshiron t’i shohë mbrojtësit e ligjit dhe të sigurisë së jetës dhe pronës së tyre.

Për çdo drejtues, të cilitdo niveli shtetëror, ruajtja dhe forcimi i miqësive të trashëguara nga e kaluara e përbashkët e popujve, duke mos e parë vetëm në sfondin historik, por edhe në atë aktual, mbetet një ndër kolonat më të rëndësishme të shndërrimit të tyre në aleanca të qëndrueshme në dobi dhe në interes të sigurisë së shoqërive që ne përfaqësojmë.

Në politikat e saj prioritare, Shqipëria është e angazhuar me krejt kapacitetet e saj njerëzore, logjistike dhe ligjore dhe po punon për rritjen e parametrave të sigurisë në vend, një kontribut i cili zë vend dhe reflektohet edhe në sigurinë e vendeve te BE-së e më gjerë.

Rritja e rolit dhe e përmasës operacionale të Policisë së Shtetit dhe të agjencive ligjzbatuese në vend u vu re në operacionet e drejtuara dhe të koordinuara nga partnerët apo strukturat homologe ndërkombëtare, vijon të tregojë vendosmërinë dhe profesionalizmin e këtyre strukturave dhe seriozitetin e Shqipërisë, për të punuar dhe për t’u bashkërenduar ngushtësisht, me të gjithë aktorët e zbatimit të ligjit, si brenda dhe jashtë vendit.

Këtij qëllimi i shërben edhe nënshkrimi i marrëveshjes së ekstradimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, e cila hyri në fuqi më 16 mars të vitit 2022.

Vlen të përmendim faktin se Policia e Shtetit ka bërë një punë paraprake për evidentimin dhe verifikimin e të gjithë personave të kërkuar nga autoritetet spanjolle dhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, në koordinim të ngushtë me autoritetet spanjolle të zbatimit të ligjit, veçanërisht me strukturat e INTERPOL-it dhe FAST-it të të dy vendeve, ka filluar operacioni dhe deri tani janë arrestuar 7 shtetas shqiptarë, për veprat penale: “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Organizata kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shkelja e ligjit për drogat”. Këta shtetas vijojnë të jenë në procedura gjyqësore, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës.

Po në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë vitit 2021 janë realizuar operacionet e suksesshme: “DOBRA”, “NOMADA” dhe “SHPIRTI”. Po ashtu, të suksesshme ishin dhe operacionet e zhvilluara më parë si: operacioni “VAZHDIMI” dhe Mega Operacioni “ONE IF-BY LAND”, rezultatet e të cilëve i kemi bërë të ditura në komunikimet e mëparshme.

Këto operacione dhe hetime kanë qenë të fokusuara kundër grupeve kriminale të prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve, pastrimit të parave, vjedhjeve të banesave etj. Në kuadër të këtyre operacioneve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme bimësh e lëndësh narkotike, armë zjarri, para cash dhe automjete. Në Shqipëri janë sekuestruar edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe janë bllokuar aktivitete tregtare.

Me autoritetet spanjolle të emigracionit kemi pasur gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë. Kjo është reflektuar edhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm për kthimin e shtetasve shqiptarë, që gjenden, me qëndrim të parregullt, në territorin spanjoll. Autoritetet spanjolle dhe Policia e Shtetit shqiptar kryejnë fluturime të përbashkëta riatdhesimi, të koordinuara nga FRONTEX.

Autoritetet spanjolle janë angazhuar edhe me ofrimin e asistencës teknike për Policinë e Shtetit përmes organizimit të trajnimeve dhe seminareve, si dhe koordinimin e zbatimin e projekteve të ndryshme.

Bashkëpunimi me partnerët, nënshkrimi dhe zbatimi i detyrimeve të ndërsjella që parashikojnë marrëveshje të tilla, ndikojnë në parandalimin e krimit dhe përbëjnë një akt të domosdoshëm për të rritur terrenin e veprimit, duke bërë që Shqipëria të mos kthehet kurrsesi në oaz të lakmuar për shtetasit që janë në konflikt me ligjin dhe parimet e një shoqërie të lirë.

Gjithashtu , këto marrëveshje ekstradimi bëjnë të mundur dhe janë një faktor ndihmues në vënien në vend të drejtësisë, pavarësisht vendit se ku janë të përqendruara fenomenet që duhen goditur e neutralizuar nëpërmjet operacioneve policore.

Veprimet e ndërthurura policore që do të pasojnë dhe do të kenë si objektiv kapjen e çdo shtetasi të kërkuar nga drejtësia spanjolle dhe nga ato vende me të cilat Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi, tanimë janë kthyer në një ndër prioritetet kryesore të punës së Policisë shqiptare.

Në këtë historik të konsoliduar të marrëdhënieve të ndërtuara midis Policisë së Shtetit me partnerët e saj të zbatimit të ligjit, mund të themi se ato tashmë janë thelbësore dhe parësore, si në mënyrë reaktive ashtu edhe në mënyrë proaktive dhe në këtë kuadër është domosdoshmëri forcimi i këtyre partneriteteve, me fokus krijimin e një klime të favorshme dhe të qëndrueshme bashkëpunimi, me rezultate dhe pritshmëri optimale për çështje me interes të përbashkët, në dobi të shtetasve, që në epiqendër të veprimtarisë së tyre kanë respektimin e ligjit dhe në planin tjetër, një realitet ndëshkues dhe shumë më të pafavorshëm për shkelësit e ligjit.

Nisur nga këto zhvillime, kam përgjegjësinë t’ju deklaroj se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojnë dhe të rrisë frymën e partneritetit me policitë e vendeve të Bashkimit Evropian e më gjerë, si edhe me agjencitë ligjzbatuese, në fushat që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. Dhe kjo për të siguruar bashkëpunimin më të fortë të mundshëm ndërkombëtar për sigurinë dhe së bashku të shndërrohemi në një armatë shumëngjyrëshe kundër krimit dhe terrorizmit, kudo ku ato zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Më lejoni ta mbyll fjalën time me një thënie të shkrimtarit të shquar spanjoll, por që i përket gjithë botës, Miguel Servantes, e cili thotë se: “Veprat e mira na fisnikërojnë, dhe ne jemi bij të veprave tona!” Janë shumë arsye që më shtyjnë drejt këtij personaliteti të madh të fjalës dhe të mendimit botëror, i cili ndërlidh më së miri dy kulturat tona, atë shqiptare dhe atë spanjolle. Faleminderit!”

Juan Pablo Iglesias Bellido: “I nderuar Drejtor i Përgjithshëm, të dashur kolegë. Sot është një ditë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Spanjës dhe Shqipërisë.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së ekstradimit që lejon ekstradimin reciprok të shtetasve, plotësuese me Marrëveshjen Evropiane të Ekstradimit të vitit 1957, Shqipëria dhe Spanja bëjnë një hap të madh përpara në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.

Shqipëria tregon vendosmërinë e saj absolute për të mos qenë strehë për kriminelët, gjë që konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar si një shenjë e padiskutueshme e përpjekjes së saj të vazhdueshme për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në shtetin e së drejtës. Me këtë operacion për gjurmimin e të arratisurve të kërkuar nga autoritetet gjyqësore spanjolle, Policia e Shtetit shqiptar dhe Policia Kombëtare përforcojnë kanalet e tyre, tashmë të rrjedhshme të bashkëpunimit policor dhe strategjisë së bashkëpunimit të ndërsjellë, e cila pa dyshim duhet të merret në konsideratë si një shenjë uniteti mes dy kombeve tona.

Nga Ministria e Brendshme e Spanjës duam të falënderojmë dhe t’i shprehim mirënjohjen kolegëve dhe miqve tanë shqiptarë, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe predispozitën e mirë. Jemi të sigurt se ky bashkëpunim do të rritet më tej në të ardhmen e afërt.”

Dario Varela Fernandez: “I nderuar Drejtor i Përgjithshëm, të nderuar kolegë. Disa ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së përmendur me Shqipërinë, Seksioni i të Arratisurve të Policisë Kombëtare Spanjolle ka nisur një shkëmbim intensiv informacioni operacional me autoritetet shqiptare, me qëllim gjetjen e të arratisurve të pretenduar nga Spanja, me një vendndodhje të mundshme në Shqipëri.

Hetimet janë kryer me mbështetjen e çmuar të Zyrës së Atasheut të Brendshëm dhe janë kanalizuar përmes Rrjetit Evropian të Personave të Arratisur (ENFAST Network), anëtare e të cilit është Shqipëria dhe Presidencën e së cilës e mban Spanja, deri në fund të vitit 2023. Sapo filloi bashkëpunimi, në vetëm 48 orë, ekipi i Personave të Arratisur shqiptarë ka arrestuar gjithsej 7 persona në Shqipëri të kërkuar nga Spanja për krime të rënda si përkatësi në një organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar droge në kuadër të organizatave kriminale ose sulme në shtëpi. Një pjesë e këtyre personave strehoheshin me identitete të rreme, në Shqipëri.

Nga Policia Kombëtare duam të falënderojmë punën e autoriteteve shqiptare dhe të theksojmë se veprimet e sipërpërmendura janë vetëm fillimi i punës së përbashkët në të ardhmen mes vendeve tona kundër krimit të organizuar dhe kundër atyre që përpiqen t’i shmangen drejtësisë.