Pogradec – Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti, vihet në pranga 1 shtetas

Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti të ndodhur në afërsi të një lokali, në fshatin Buçimas.

Vihet në pranga pronari i lokalit, i cili kanosi me armë gjahu një shtetas tjetër, për motive të dobëta.

Sekuestrohet një armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, të cilat pronari i lokalit i mbante pa leje, në banesën e tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së informacionit se në fshatin Buçimas, Pogradec, në afërsi të një lokali, dy shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, menjëherë kanë organizuar punën dhe janë nisur drejt vendngjarjes, ku falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi A. H., 52 vjeç (pronari i lokalit) ishte konfliktuar për motive të dobëta dhe kishte kanosur me armë shtetasin R. B., 40 vjeç, banues në Buçimas dhe ishte larguar nga vendngjarja, por shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e tij. Gjatë kontrollit në banesën e 52-vjeçarit, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë gjahu (çifte) dhe një sasi municioni luftarak.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të shtetasit A. H.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.