Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrethi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë, arrestohen në flagrancë 2 poseduesit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se 2 shtetas shpërndanin lëndë narkotike kokainë, nëpër lokale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrethi”. Gjatë këtij operacioni, në vendin e quajtur “Rrethi i Shëngjinit”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin S. B. dhe pasagjer shtetasin M. S., të cilëve, gjatë kontrollit fizik, iu janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit S. B., 28 vjeç dhe M. S. 34 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë-Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Account”.Operacioni, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.Vihet në pranga 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.Procedohen penalisht 2 të tjerë. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Account”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit F. A., 54 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. A., gjatë ushtrimit të funksionit si përmbarues privat, duke shpërdoruar detyrën, ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të një subjekti privat, pa e njoftuar këtë subjekt.Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 133 shtetas, konkretisht: 12 janë ndaluar, 18 janë arrestuar, 89 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste, me 12 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 3 shtetas të shpallur në kërkim, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre, si dhe 6 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste: 2 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 7 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 6 raste të veprës penale “Kanosja”, me 9 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 2 shtetas të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe nga 1 rast i veprave penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, me autorë të paidentifikuar për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” është evidentuar 1 rast me autorë të paidentifikuar për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, njëri prej tyre me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, të bashkëshoqëruar me veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të ndaluar.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, edhe për veprën penale “Pushtimi i tokës” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e zjarrvënies janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 12 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 9 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, 3 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mashtrimi” , me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë; janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 1 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, me 4 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 5 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij/tyre.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilëve 6 shtetas janë dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 17 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 2 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 13 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.