Nisur nga analiza e aksidenteve rrugore, në lidhje me shkaqet kryesore që ndikojnë jo vetëm në ndodhjen e aksidenteve rrugore, por edhe të pasojave që vijnë prej tyre, strukturat e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, në zbatim dhe të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë analizës tremujore të Policisë Rrugore, kanë shtuar kontrollet dhe i kanë alternuar ato, në funksion të shkeljeve që janë verifikuar si burim i shtuar për aksidente rrugore me pasoja fatale për shëndetin dhe jetën e përdoruesve të rrugës.
Në gamën e shkeljeve që janë burim për aksidente rrugore me pasoja, mbetet shqetësim siguria e këmbësorëve, kryesisht në vendkalimet e tyre. Në rrugët ku mungojnë vendkalimet, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë së këmbësorëve, janë angazhuar shërbime policore, për kontrollin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që nuk i japin përparësi këmbësorëve, në orare dhe vende të ndryshmme, sipas analizës së riskut nga ngjarjet e verifikuara më herët.
Gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative, 104 drejtues mjetesh, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, 123 drejtues mjetesh për shpejtësi mbi normat e lejuara në qendrat e banuara, 67 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 32 për shkelje të semaforit, 49 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, 56 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 114 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon përdoruesit e rrugës që zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri.