Vlorë – Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”

Goditet 1 tjetër rast i organizimit të veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 tjetër.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, kanë bërë të mundur goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi S. L., 20 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të këtij shtetasi. Gjatë kontrollit ka rezultuar se ky shtetas kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit, për të organizuar lotari sportive të paligjshme, nëpërmjet kompjuterit.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi R. I., 32 vjeç, banues në lagjen “4 Heronjtë”, Vlorë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, i cili u kap në flagrancë duke vënë baste sportive.

Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.