Finalizohen gjatë orëve të fundit, dy operacione policore të koduara “District 3″ dhe District 4”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.
Gjatë operacionit policor të koduar “District 3” arrestohet në flagrancë 1 shtetas, që ndihmonte 5 emigrantë, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacionit policor të koduar “District 4”, arrestohet në flagrancë 1 shtetas tjetër, që ndihmonte 7 emigrantë, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Në ambientet e hotelit ku kishte strehuar emigrantët e paligjshëm, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, krehër dhe municion luftarak.
Procedohen penalisht edhe 12 emigrantët e paligjshëm.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionet policore të koduara “District 3” dhe “District 4”.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “District 3” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
V. K., 62 vjeç, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ky shtetas kishte strehuar në ambientet e hotelit që administronte, në rrugën “Kastriotët”, 5 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri, të cilëve iu kishte premtuar, kundrejt shpërblimit monetar, dhënien ndihmë për transportimin e tyre drejt pikave të kalimit kufitar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “District 4” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. E., 32 vjeç, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas kishte strehuar në hotelin që administronte, në rrugën “Kastriotët”, 7 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar dhënien ndihmë për transportimin e tyre, drejt pikave të kalimit kufitar.
Gjatë kontollit të ushtruar në njërën nga dhomat e këtij hoteli, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, krehër dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 12 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale