Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 5, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Goditet 1 rast i organizimit të lotarive të palejuara, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.

Shpallet në kërkim vëllai i tij, i cili kishte vendosur në dispozicion lokalin për lojëra fati.

Sekuestrohet 1 aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, se në një lokal në bulevardin “Nënë Tereza”, dy vëllezër, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara nëpërmjet aparateve celulare, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Brothers”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– N. S., 19 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim vëllai i tij, pronari i lokalit, shtetasi L. S., 31 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, shtetasi N. S., u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, në lokalin në pronësi të vëllait të tij, shtetasit L. S., i cili e kishte vendosur në dispozicion për lojëra fati.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.