Policia e Shtetit
Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, në disa akse dhe segmente rrugore është krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, kryesisht në bypass-in e rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murrizë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, dhe si pasojë në këtë aks nuk lejohet qarkullimi deri në pastrimin e saj nga borëpastrueset.
Në Qafthanë, zonën e Librazhdit, dhe në rrugën e Kombit, aktualisht kalohet pa zinxhirë, pasi po punohet me borëpastruese për të mbajtur pastër këto akse rrugore.
Në disa akse rrugore rurale, në Korçë, Shkodër, Dibër e Kukës, kalimi bëhet me zinxhirë.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash emergjente, duke rritur prezencën e shërbimeve me uniformë, në të gjitha rrugët e vendit.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin në rrugë gjatë kalimit në të gjitha akset rrugore, pasi ka prezencë të ujit dhe të dëborës, të vendosin rripin e sigurimit dhe mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mejtit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.
Për çdo nevojë e problematikë të hasur të telefonojnë në 112 apo të dërgojnë mesazhe në Komisariatin Dixhital, duke ju garantuar ndihmë të mënjëherëshme nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore.