Analiza vjetore e strukturave të DVP Fier dhe DVP Vlorë/ Nano, deklaratë për mediat

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano ka marrë pjesë në analizat vjetore të punës së strukturave të Policisë së DVP Fier dhe DVP Vlorë.

Drejtor Nano ka kërkuar angazhim maksimal për parandalimin e krimeve kundër personit e pronës, për zgjidhjen në kohë të konflikteve për të mos u përshkallëzuar në ngjarje të rënda kriminale, dominimin nga Policia të situatës kriminale dhe goditjen e krimit të rrugës.

Nano ka kërkuar nga drejtuesit e këtyre drejtorive, që të marrin masa të menjëhershme për parandalimin e kultivimit të kanabisit. Cilido punonjës policie që do të përfshihet në aktivitet kriminal, jo vetëm në fushën e narkotikëve, do të ketë ndëshkimin më të rreptë ligjor. Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se parandalimi i kultivimit të kanabisit është sfidë personale e tij dhe nuk do të tolerojë askënd.

Njëkohësisht, Drejtor Nano ka theksuar se marrëdhëniet me qytetarët janë jetike për suksesin e Policisë, ndaj duhet një qasje e re në këto marrëdhënie, por dhe në marrëdhënien me gazetarët dhe transparencën që duhet të ketë Policia, me gazetarët e rrjedhimisht me qytetarët.

“Angazhojeni brezin e ri të Policisë në terren dhe përgjigjuni në kohë, me përkushtim e ndershmëri qytetarëve në nevojë”, – ka theksuar Nano.

Në përfundim të analizës vjetore në DVP Vlorë, pas inspektimit në sallën operative të DVP Vlorë, e cila është riformatuar dhe është pajisur me të gjithë teknologjinë e fundit, për të monitoruar situatën në qytet, Drejtori i Përgjithshëm ka dhënë dhe një prononcim për mediat.

Pyetje: Gjatë analizës vjetore kanë qenë dy pika të cilat janë theksuar si më problematiket ose që kanë nevojë të punohen: zbardhja e ngjarjeve të rënda kriminale dhe kanabisi. A ka një politikë që do ndiqet gjatë këtij viti, për të sjellë një performancë më të mirë të Policisë së Vlorës?

Përgjigje: Po, është e vërtetë. Dy nga prioritetet që diskutuam në analizën e zhvilluar sot, me Drejtorinë e Policisë Vlorë, ishin parandalimi i ngjarjeve të rënda kriminale, po ashtu dhe zbulimi i tyre, njëkohësisht dhe parandalimi apo ulja e numrit në drejtim të kultivimit të kanabisit. Këto janë dy pika shumë të forta ku personalisht do të qëndroj fort, në çdo Drejtori Vendore të Policisë ku kemi zhvilluar dhe do të zhvillojmë analizat e punës. Për hir të së vërtetës, Policia e Shtetit ka aktualisht në dorë, hetime të cilat po i kryen me një progres në vazhdim. Nuk dua të jap asnjë përgjigje në këto momente që flasim, pasi janë çështje në hetim, por janë hetime premtuese nga të cilat presim një rezultat pozitiv në një kohë të caktuar. Përsa i përket kultivimit të kanabisit, edhe kjo është një pikë tjetër të cilën e kam marrë si sfidë personale dhe nuk do të toleroj asnjë punonjës policie, i cili me veprimet apo mosveprimet e tij, do të implikohet në këtë lloj procesi. Bashkëpunimi me të gjitha agjencitë e tjera të sigurisë në vend, siç janë ato ligjzbatuese dhe të inteligjencës, është në nivelin maksimal. Është kërkuar bashkëpunim dhe e kemi mbështetjen. Nën drejtimin po ashtu dhe të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Sarandë do të zhvillojmë të gjitha hetimet në lidhje me këtë figurë krimi dhe besoj që ky vit do jetë një vit ndryshe përsa i përket fenomenit apo problematikës së kultivimit të kanabisit.

Pyetje: Si kanë qenë këta dy indikatorë: kanabisi dhe krimet e rënda kundër personit për Vlorën, në vitin 2021?

Përgjigje: Ju e dini që problematika përsa i përket krimeve të rënda në Vlorë është një problematikë që nuk është zhvilluar sot apo së fundmi. Është një problematikë e cila ka qenë dhe më përpara.

Pyetje: Duket një problematikë që nuk ka gjetur zgjidhje. 4 ngjarje të rënda vitin e kaluar, atentate, 3 vrasje, 2 të tjera në 24 ditët e para të janarit?

Përgjigje: Siç e shikoni dhe ju sot, po e zhvillojmë këtë intervistë në sallën e re operative të Drejtorisë së Policisë Vlorë. Qasja që ne kemi në drejtim të parandalimit dhe zbardhjes së ngjarjeve kriminale nuk është qasje vetëm me burimet njerëzore që Policia e Shtetit ka, apo bashkëpunimi me agjencitë e tjera të inteligjencës dhe ligjzbatuese, por është qasje që do të ndërthuret edhe me teknologji nga më të fundit në drejtim të kontrollit të territorit. Kështu që së shpejti do të anonçojmë dhe do të kemi të reja në këtë aspekt, në këtë drejtim. Besoj dhe jam shumë i bindur se ashtu siç agjencitë e tjera europiane punojnë, ne do të kemi një rezultat tjetër për sa i përket shtrirjes së teknologjisë më të fundit në terren, e cila do të na ndihmojë dhe do të na japë shumë dorën lidhur me këtë.

Pyetje: Çfarë ka ndodhur? Ka munguar teknologjia që nuk janë zbardhur atentatet e vitit 2021, ndërkohë që ka edhe atentate të mbartura që nuk janë zbardhur?

Përgjigje: Për këto do të kemi edhe komunikime të tjera në vijim, por unë ju sqaroj që do të ketë një qasje tjetër dhe një vlerësim tjetër lidhur me ndërthurjen e këtyre dy elementeve.

Pyetje: Rezultate për personat e zhdukur në Vlorë ka?

Përgjigje: Faleminderit! Janë çështje në hetim për të cilat ne do të kemi komunikime sapo të kemi diçka të re lidhur me këto ngjarje.