Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, vihet në pranga 29-vjeçari.
Vihen në prangat e Policisë edhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin O. M., 29 vjeç, banues në Fier.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Benz”, iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 25 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, gati për shitje, 1 peshore elektronike, 2 kuti grirëse dhe qese farmaceutike që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:
-L. B., 24 vjeç, banues në Fier, pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Vajkanit”, Fier, duke drejtuar automjetin tip “Renault”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore, për të ndaluar. Pas kapjes dhe ndalimit të tij, gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël me lëndë narkotike cannabis sativa dhe një palë targa të një automjeti tjetër.
-R. D., 22 vjeç, banues në Levan, Fier, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin tip “Peugeot”, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim M. T. (D)., 27 vjeç, banues në Suk 1, Roskovec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier e ka dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Në fshatin Frakull, Fier, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip “Volkswagen”, pa targa. U kryen veprimet hetimore dhe po punohet për identifikimin e pronësisë së mjetit dhe përcaktimin e shkakut të djegies së këtij automjeti.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë u procedua penalisht shtetasi M. Z., 57 vjeç, banues në Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka kanosur me mjet prerës shtetasin M. S., 40 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.