Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D.V. P. Tiranë.
Sekuestrohen 20 doza Heroinë, si dhe një sasi lekësh të përfituara nga shitja e saj.
Në pranga poseduesi, njëherazi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “SHTRAUS”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– L. F., 27 vjeç, lindur në Bukuresht dhe banues në Tiranë, i dënuar më pare për vjedhje.
Për këtë shtetas Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dispononin informacion se u shiste lëndë narkotike Heroinë në qytetin e Tiranës, kryesisht në sheshin “Shtraus”, personave të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit 27-vjeçari u kap në flagrancë me doza lënde narkotike Heroinë, të gatshme për t’u hedhur në treg në zonën pranë sheshit “Shtraus”, ku gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 20 doza me lëndë të dyshuar Heroinë, një peshore elektronike, për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në sasira të vogla, 35.000 lekë të grumbulluara nga shitja e lëndës narkotike Heroinë dhe një celular.
Materialet procedurale do t’i kalojne Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.