Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë shtetasin M. Gj., 20 vjeç, banues në Kurbin. Arrestimi i tij u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shëngjinit “, Shëngjin, forca e posaçme “Shqiponja” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin në të cilin ky shtetas ishte pasagjer, në çantën e tij ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 41 vjeç, banues Fushë Mamurras, Kurbin pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases L. P. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. M., 18  vjeç, banues në Mirditë, pasi në hyrje të Rrëshenit duke drejtuar automjetin tip “Audi”, ka humbur kontrollin duke goditur automjetin tip “Fiat” , ku për pasojë kanë marrë dëmtime shtetasit P. P., L. P. dhe T. M. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit, vihet në pranga një 33-vjeçar. Sekuestrohen 4 pajisje elektronike si dhe 1 tavolinë pokeri, që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit. Në vijim të punës dhe kontrolleve të shtuara për ndëshkimin e atyre personave që tentojnë  të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, u konstatua se në fshatin Novoselë, Vlorë, në lokalin e shtetasit K. L., u gjetën dhe u sekuestruan 4 pajisje elektronike dhe 1 tavolinë pokeri, ku dyshohej se ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, duke fshehur të ardhurat me qëllim mosdeklarimin e tyre. Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë  arrestuan në flagrancë shtetasin K. L., 33 vjeç, banues në fshatin Novosel, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vihen në prangat e Policisë 3 shtetas, një për kultivim të bimëve narkotike, një për kundërshtim të punonjësit të Policisë dhe një për drejtim të mjetit pa patentë dhe në gjendje të dehur. Procedohet penalisht një shtetas për zjarrvënie. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Levan, Fier, në tokën e shtetasit Th. Ç., gjetën të kultivuara bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Th. Ç., 24 vjeç, banues në Levan, Fier. Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. B., 39 vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “Apollonia”, për motive të dobëta ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë së rendit publik gjatë kryerjes së detyrës. Nga Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Q., 48 vjeç, banues në Divjakë, pasi drejtonte motomjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, proceduan penalisht shtetasin F. D., banues në Kasnicë, Patos, pasi duke djegur barëra në tokën e tij, si pasojë flakët e zjarrit kanë dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe me ullinj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre në kërkim ndërkombëtar. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë të mundur arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Zvicrës, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar Herjolind Lena, 43 vjeç, banues në Strugë, Maqedonia e Veriut. Gjykata Supreme e Kantonit të Bernit, Zvicër, me vendimin e datës 07.07.2015, e ka dënuar këtë shtetas me 2 vjet e 3 muaj burg për veprat penale “Grabitje” dhe “Mashtrim”, mbetur në tentativë, parashikuar në Kodin Penal zviceran. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. L., 42 vjeç, banues në fshatin Lekas, Pogradec, pasi në këtë fshat, ky shtetas u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin kamion tip “Ifa”, pa targë, me të cilin po transportonte 10 m dru zjarri të llojit ah dhe dushk, pa lejen përkatëse. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Durrës – Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 1 prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim U. S., 45 vjeç, banues në Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Dhuna në familje”.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në bazë të vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, kanë ndaluar shtetasin S. B., 19 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin e një banese. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, shtetasi E. Gj., 28 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 10 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 3 raste të “Kanosja”,  1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 7 raste, 3 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 raste të tjera në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Kukës, 1 në Dibër dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Shkodër janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 2 për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe 1 për shkatërrim prone.

Është arrestuar 1 shtetas, në Tiranë, dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, 2 në Korçë dhe 1 në Shkodër, për shkatërrim prone me zjarr.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Shpërdorim detyre” dhe 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 12 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.