Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Kapet dhe ndalohet 29-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në ngjarjen e ndodhur në 17.08.2020, në Patos, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. S. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17.08.2020, në afërsi të stadiumit në Patos, ku pesë shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar ta rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur, si rezultat i veprimeve hetimore dhe informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një tjetër personi të dyshuar si bashkautor, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. S., 29 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 03.09.2020, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Krajën, Lezhë, në tokën në pronësi të tij, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi P. B., 60 vjeç, banues në Ishull Shëngjin, Lezhë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Tepelenë – Goditen 2 raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasit F. B., 57 vjeç dhe T. B., 44 vjeç, banues në fshatin Dukaj, Tepelenë, pasi kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në afërsi të banesave të tyre. Materialet për shtetasit e mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vijon kontrolli intensiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Dërmënas”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier dhe Komisariati i Policisë Fier, pas një hetimi 2-javor. Sekuestrohen 6.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe fidanë narkotikë të mbjellë në vazo lulesh. Në kuadër të operacionit vihen në pranga babë e bir, për kultivim, prodhim dhe shitje të narkotikëve. Gjithashtu, në vijim të operacionit vihet në pranga dhe një shtetas tjetër, për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së kanabisit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, pas një hetimi 2-javor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Dërmënas”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit G. B., 62 vjeç dhe A. B., 34 vjeç (babë e bir), banues në Dërmënas, Fier.  Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë narkotike kanabis dhe fidanë kanabis të mbjellë në vazo lulesh. Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasi A. V., 52 vjeç, banues në Fermë Çlirim, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në oborrin e banesës iu gjetën kubikë me fidanë të dyshuar kanabis. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Kakavijë -Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 20080 euro, procedohet penalisht poseduesja e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në kontroll më të detajuar, një automjet tip “Jeep”. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në një vend të përshtatur në automjet, gjetën në çantën e shtetases L. F., 58 vjeçe (pasagjere në mjet), 20080 euro, të cilat kjo shtetase nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, shtetasja L. F. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”. Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e policisë në PKK Port Durrës dhe strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim J. D., 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e datës 18.05.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të lartpërmendura, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.09.2020, ku 30-vjeçari u konstatua duke transportuar me një automjet, tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. B., 21 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi në Patos, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Range Rover”, me të cilin po udhëtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shkop metalik dhe një dorezë metalike që i mbante pa leje. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, u proceduan penalisht 2 shtetas. Konkretisht, për shtetasin D. L., 31 vjeç, banues në Tiranë, filloi procedimi penal për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke udhëtuar me automjetin tip “Skoda” dhe gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu gjetë një dozë me lëndë narkotike kokainë. Për shtetasin R. I., 48 vjeç, banues në Fier, filloi procedimi penal për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Falsifikim i vulave, stampave, formularëve”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz” me targa të dyshuara të falsifikuara dhe me numër shasie të fshirë. Gjithashtu ky mjet dyshohet se është i vjedhur jashtë shtetit dhe është trafikuar në Shqipëri Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, proceduan penalisht për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, shtetasit N. T., 59 vjeç, H. T., 56 vjeç, Q. K., 62 vjeç dhe S. K., 29 vjeç, banues në fshatin Kryekuq, Divjakë, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar dhe goditur me njëri tjetrin. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kavajë – Kontrolle të shtuara për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të narkotikëve. Si rezultat i kontrolleve u godit një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen një armë zjarri automatik, municion luftarak dhe lëndë narkotike kanabis, arrestohet në flagrancë poseduesi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe me lëndë narkotike me vete, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. M., 27 vjeç, banues në Kavajë. Shërbimet policore, gjatë patrullimit në lagjen nr. 1 Kavajë, kanë ndaluar mjetin tip “BMË” me drejtues shtetasin F. M. Gjatë kontrollit për sende të kundërligjshme, në bagazhin e mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, municion luftarak dhe lëndë narkotike kanabis. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 89 penalisht shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 24 janë arrestuar në flagrancë dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Durrës, me 2 autorë të shpallur në kërkim; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 2 raste në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 3 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 në Lezhë, 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 10 raste, 4 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Kukës dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Kukës, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për armëmbajtje pa leje, dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Falsifikimi i letrave me vlerë”.

Janë evidentuar 3 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Vlorë janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Elbasan janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 për “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas , për korrupsion aktiv.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.