Qarku Korçë – U konstatuan duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër

Qarku Korçë

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, në kuadër të operacionit “Perimetri”.

U konstatuan duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë shpallja në kërkim e shtetasit S. B., 35 vjeç dhe u procedua penalisht shtetasi M .C., 33 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar pranë vendit të quajtur “Guri i Kuq”, në Pogradec, mjetin tip furgon “Benz”, me të cilin dyshohet se drejtuesi, shtetasi S. B. (i cili ka braktisur mjetin) dhe shtetasi M. C. po transportonin 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shpërblimit 250 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.
———-
Korçë

Zbardhen dhe dokumentohen 3 vjedhje, vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. L., 38 vjeç, banues në Libonik, Maliq dhe E. O., 37 vjeç, banues në Korçë. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas janë autorë të dyshuar të vjedhjes së disa pajisjeve elektrike, sendeve dhe orendive të ndryshme në banesat në pronësi të shtetasve A. Dh. dhe Dh. Z., si dhe në magazinën në pronësi të shtetasit M. Z., ngjarje të ndodhura më datë 11.07.2021 dhe 18.07.2021, në lagjet nr 1, 11 dhe 13 të qytetit të Korçës.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.