DVP Durrës – Ndalohen 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër

Vijon puna nga shërbimet e Komisariateve në varësi të DVP Durrës, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Ndalohen 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasit:

Xh. N., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, më datë 15.04.2018, i ka hequr lirinë shtetasit K. P., duke e marrë me forcë në makinë;

L. D., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”;

Forcat Operacionale në DVP Durrës kapën dhe ndaluan shtetasin K. K., 44 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua shtetasi P. S., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ofenduar dhe kanosur në mënyrë të përsëritur kunatën e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, shtetasin E. K., 21 vjeç, banues në Krujë, pasi ka kanosur dhe ka goditur shtetasin A. B., 58 vjeç, banues në Krujë, që të mos bënte kallëzim ndaj tij në Polici, për vjedhjen e një kafshë shtëpiake.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, menjëherë pas marrjes së informacionit se në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, shtetasi L. B., pas një konflikti për motive të dobëta, po kanoste me armë zjarri shtetasin R. H., menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë kapur shtetasin L. B.

Pas veprimeve hetimore rezultoi se arma ishte sportive. Në vijim të procedurave, shtetasi L. B., 34 vjeç, banues në Kavajë (i dënuar në vitin 2019, për armëmbajtje pa leje, dhe me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve) u procedua penalisht për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. T., 20 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar pa leje drejtimi një motomjet pa targa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.