Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Finalizohet operacioni policor i koduar “Plantacioni”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vendoset sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 500.000 dollarë, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit. Nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Plantacioni”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, datë 25.05.2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetasit V. D., 31 vjeç, i cili aktualisht është i arrestuar në Angli, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale. Ky shtetas është arrestuar në Angli, në një plantacion bimësh kanabisi, të cilën e prodhonte në sera dhe pastaj e tregtonte duke arritur fitime të mëdha. Këtij shtetasi, pas ndalimit, gjatë kontrollit në banesë i është gjetur dhe sekuestruar shuma 363.000 paund britanik. Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 500.000 dollarë, konkretisht: një njësi tregtare, dy apartamente dhe 1 garazh. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Lezhë – Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun Lezhë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Sekuestrohen 71 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi i tyre. Forca e posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë kishte siguruar informacione në rrugë operative, për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla. Pasi është bërë i mundur lokalizimin i mjetit me të cilin dyshohej se lëvizte ky shtetas janë vendosur pika kontrolli dhe në aksin rrugor Lezhë-Milot, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i M+”, është ndaluar mjeti i dyshuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 71 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe një sasi lekësh të dyshuar të përftuar nga ky aktivitet kriminal. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. Gj., 23 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Divjakë – Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 19 vjeç banues në Kryekuq, Divjakë, pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Kryekuq, duke drejtuar motoçikletën tip “Lifan” pa leje drejtimi, ka aksidentuar një fëmijë të mitur 3 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Fier – Më datë 27.05.2021, gjatë natës, në fshatin Levan, Fier është vjedhur një shumë lekësh në banesën e shtetasit Sh. M., 51 vjeç. Nga kryerja e veprimeve hetimore nuk konstatohen shenja thyerje. Po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
Berat – Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. V., 37 vjeç, banues në lagjen 11 Janari, Kuçovë. Arrestimi i tij u bë pasi ka thyer xhamat e vitrinës së punonjësve në ambientet e brendshme të filialit të Postës Shqiptare në Urën Vajgurore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Shkatërrim prone”.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 37 vjeç, pasi në zonën e Astirit, gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së tij iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kokainë, një peshore elektronike, një shumë parash si dhe dy aparate celular Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit ndaj Jetës dhe Pronës u bë ndalimi i shtetasit Ervis Hysa, 27 vjeç, sepse me vendimin e formës së prerë, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Specialistët për Hetimin e Krimit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L., 34 vjeç, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin ky shtetas qarkullonte, në çantën e dorës iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë . Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. Sh., 37 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ka kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e policisë. Më datë 27.05.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin A. O., 47 vjeç, banues në Tiranë, sepse me premtimin se do ti blinte një automjet në Gjermani, i ka marrë një shumë parash një shtetaseje dhe nuk ia ka kthyer më. Paraprake: Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në parkimin e një pallati është djegur mjeti në pronësi të shtetasit A. Z. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja është aksidentale. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Librazhd/ Informacion paraprak – Në fshatin Togez, Librazhd, dyshohet se nën kërcënimin e armës, nga persona ende të paidentifikuar është vjedhur banesa e shtetasit G. S., ku kanë marrë një sasi lekësh. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, vijon punën për identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, si dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Vlora dhe 1 në Shkodër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë”, në Tiranë, me 2 autorë të shpallur në kërkim.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste në të gjithë vendin, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Berat, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Kukës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Në Elbasan është evidentuar edhe 1 rast i shkatërrimit të pronës me zjarr, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Mashtrimi” dhe 2 të tjerë për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Janë evidentuar 2 raste të “Kontrabanda me mallra të tjera”, 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 7 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.