Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, si dhe një rast i pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Finalizohet operacioni policor “BLLOKU”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve. Arrestohet në flagrancë një shtetas dhe procedohen penalisht dy të tjerë. Sekuestrohet kokainë, franga zviceriane, euro, dollarë e lekë, si dhe një automjet. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr 2, pasi kishin marrë informacion në rrugë operative se një shtetas duke qarkulluar me automjetin e tij shpërndante kokainë në doza të vogla, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Blloku”. Si rezultat i operacionit në rrugën “Brigada e 8”, nga punonjësit e policisë të Komisariatit të Policisë Nr.2, është ndaluar për për kontroll mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin R.M, dhe me pasagjerë shtetasit A.M. dhe E.P. Gjatë kontrollit në pjesën e brendshme të monitorit të kasetofonit policia gjeti dhe sekuestroi 43 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Po gjatë kontrollit fizik të shtetasit E.P, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej 25500 franga zviceriane, 600 euro, 49500 lekë dhe 100 dollarë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti në posedim të shtetasit R. M. si dhe 6 telefona celular në posedim të shtetasve të lartpërmendur. Në përfundim të veprimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në D. V. P. Tiranë, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: E. P., 32 vjeç, banues në Tiranë, Sauk, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Moskallëzim Krimi”, A. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim Krimi”. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Korçë – Qëllon me armë gjahu të cilën e mbante pa leje në drejtim të banesës së një shtetasi, arrestohet në flagrancë një 39 – vjeçar. Sekuestrohet arma e gjahut tip çifte, me municion luftarak. Mbrëmjen e djeshme, në nr 129 të Policisë, ka ardhur një telefonatë se në lagjen nr. 7 në Korçë, një shtetas kishte qëlluar në drejtim të një banese me armë gjahu dhe po lëvizte në qytet me armë të cilën e posedonte pa leje. Falë vlerësimit në kohë të informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë shkuar menjëherë në adresën e denoncuar ku kapën në flagrancë shtetasin E.A, banues në Korçë, i cili për motive të dobëta dyshohet të ketë qëlluar në drejtim të oborrit të banesës së shtetasit D.K. Në cilësinë e provës materiale këtij shtetasi iu sekuestrua 1 armë gjahu tip çifte me fishekë. Shtetasi E.A, (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”) u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kanosja” dhe materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Specialistët e Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, mbi bazën e informacionit të marrë në rrugë operative dhe një punë të mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit G.K., 49 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi në Maj 2019 Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë,e ka dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, pasi në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ka trafikuar lëndë narkotike në drejtim të Italisë. Materialet iu referuan Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme. Gjithashtu nga shërbimet e Policisë së Kurbinit, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit B.T., 48 vjeç, banues në Kurbin. Për këtë shtetas Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka urdhëruar ndalimin e tij,për veprën penale “Dhuna në familje”,pasi në Qershor 2019 ka ushtruar dhunë fizike, duke e goditur me sende të forta në kokë vëllain e tij, shtetasin L.T.,43 vjeç.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 7 janë arrestuar në flagrancë, 4 janë ndaluar dhe 76 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 2 në qarkun Tiranë, 1 i dënuar për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendiqendrimit”, 1 i dënuar për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektike ose impulsive telefonike”; 1 në qarkun Korçë i dënuar për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”; 1 në qarkun Lezhë i dënuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast në qarkun Tiranë, me 3 autorë të arrestuar.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja, Dëmtime të tjera me dashje”; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Elbasan dhe 1 në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Durrës, 1 në qarkun Korçë dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 4 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 15 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 6 në qarkun Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 3 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në qarkun Vlorë, 1 në Berat, 1 në Shkodër.

Është evidentuar 1 rast i “Goditjet për shkak të detyrës”, në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Elbasan, i cili u arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.