Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 shkurt 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Sarandë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Dhrovjani”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”. Sekuestrohen arsenal armësh zjarri dhe municion luftarak. Arrestohet në flagrance një 37-vjeçar, shpallet në kërkim i ati. Në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në banesën e një shtetasi në fshatin “Dhrovjan”, Finiq, ishte fshehur një arsenal armësh, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Dhrovjani”. Në kuadër të operacionit  u  kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M. T., 37 vjeç dhe u shpall në kërkim i ati i tij, shtetasi J. T. Shërbimet e Policisë , gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. T., në fshatin Dhrovjan, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material 10 armë zjarri dhe municion luftarak, konkretisht: 1 mitraloz të lehtë, 2 kallashnikovë, 3 armë zjarri pushkë dhe 4 armë gjahu, 1 granat-hedhës dhe 220 fishekë luftarakë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbetën të plagosur me armë zjarri nënë e bir. Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e dyfishtë. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë. Shpallen në kërkim dhe 2 bashkëpunëtorët e autorit të ngjarjes, të cilët u përfshinë në konflikt, si dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas një pune intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, bënë zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorit kryesor të ngjarjes. Në bashkëpunim me DVP Elbasan u bë kapja dhe  arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 33 vjeç, banues në Peqin. Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit O. Ç. dhe Z. J. Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z. J., i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir. Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarjeje ishte shtetasi Z. J., por pas hetimeve të shpejta dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Durrës , rezultoi se shtetasi E. J. (i arrestuar), pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Z. J. dhe O. Ç., ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit F. Ç., 23 vjeç dhe shtetases V. Ç., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. J., 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe O. N., 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. J., kanë konsumuar veprat penale  “Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe u procedua penalisht shtetasi O. Ç. (vëllai i shtetasit F. Ç.), për veprën penale ” Dëmtime të tjera me dashje”. Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Tropojë – Arrestohet në flagrancë një shtetas, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 66 vjeç, banues në fshatin Kërrnajë, Tropojë. Ky shtetas, në mënyrë të përsëritur, ka bllokuar rrugën që lidh lagjen “Hysenukaj” me fshatin Kërrnajë, duke hedhur inerte dhe duke kryer gërmime në rrugë, me pretendimin se rruga kalon në tokën e tij. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Tiranë – Vijon operacioni “Premtimi”, shkon në 3 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga një tjetër shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Në vijim të operacionit policor të koduar “Premtimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prostitucionit, finalizuar dy javë më parë nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme në DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 2 shtetas, ka vijuar puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Si rezultat është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim F. Xh., 26 vjeç. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit J. D. dhe T. M., (të arrestuar më parë në kuadër të këtij operacioni), me premtimin për martesë dhe për t’u larguar në vendet e BE-së, kanë sjellë në Shqipëri dy shtetase, të cilat dyshohet se i kanë shfrytëzuar seksualisht me persona të tjerë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Skrapar, Berat – Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim policor. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas të tjerë. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim K. M., 24 vjeç, banues në Skrapar. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Xh. M., më datë 20.02.2021, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit E. M. dhe A. Ç. Ndërkohë, vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasit Xh. M. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, po nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Sh., 33 vjeç, banues në Skrapar, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Berat – Nga specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. C., 38 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin jashtë fashës orare të lejuar, në kundërshtim me Aktin Normativ, nuk i ka ndaluar patrullës së Policisë, por është kapur më pas nga forca e posaçme “Shqiponja”. Shtetasi V. H., pas testit të alkoolit rezultoi në gjendje të dehur në masën 0.72 mg/l. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, si dhe u mor masë plotësuese bllokim i lejes së drejtimit, për shkelje të Aktit Normativ.

Korçë – Shkon në dy numri i personave të ndaluar si autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 11.01.2021, në lagjen nr. 1, Korçë, ku një kambisti i vodhën me dhunë një shumë lekësh. Sektori për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në DVP Tiranë, ka kapur 33-vjeçarin e shpallur në kërkim për këtë ngjarje. Arrestohet edhe 1 shtetas tjetër, i cili kishte strehuar dhe përkrahur autorin e krimit. Sekuestrohen një dokument policie dhe simbole dalluese, të cilat 33-vjeçari i përdorte për t’u prezantuar si punonjës policie, me qëllim shmangien e kapjes nga Policia. Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të veprimeve procedurale të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 11.01.2021, në lagjen nr. 1 të qytetit të Korçës, ku 3 shtetas (njëri prej të cilëve u arrestua në flagrancë) i vodhën me dhunë shumën 4.000.000 lekë, shtetasit Sh. M., 57 vjeç, para banesës së tij, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Forcat e Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për këtë ngjarje: M. A., 33 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”); Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasit e mësipërm u kapën në qytetin e Tiranës, nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, me mjetin tip “Volkswagen Polo”, në pronësi të M. A. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. A. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një dokument policie dhe simbole të tjera dalluese të Policisë, që ky shtetas i përdorte me qëllim që të shmangte kapjen nga Policia. Ndaj 33-vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 28.01.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në 11.01.2021, në Korçë.  Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. Sh. e ka përkrahur dhe strehuar shtetasin M. A., pas kësaj ngjarjeje. Nga ana e Policisë është identifikuar dhe bashkëpunëtori i tretë i dyshuar për këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Tiranë – Bien në pranga 6 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Sh., 37 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, sepse në Rrugën e Elbasanit, duke drejtuar mjetin tip “Opel”, menjëherë sapo i është dhënë shenjë ndalimi nga Policia, ka hedhur nga xhami i pasagjerit një qese me një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Gj. K., 53 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij; A. M., 41 vjeç, pasi ka vjedhur disa veshje në një dyqan. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në bazë të urdhrit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bënë ndalimin e shtetasit T. T., 42 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve N. H., 49 vjeç dhe R. M., 29 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Kukës – Ndalohet 1 shtetas, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. N., 50 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi shtetasi F. Gj. ka bërë kallëzim se në periudha të ndryshme kohore, nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, shtetasi A. N. i ka marrë një shumë të konsiderueshme lekësh. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikim i drogave”. Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tirana, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Strukturat e Policisë Vendore Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit Islam Kasa alias Mitralozi, 53 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës.  Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Bolonja, Itali, me vendimin e datës 18.06.2019, e ka dënuar me 23 vjet, 1 muaj e 7 ditë burg, për veprën penale “Trafikim i drogave”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin R. A., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. Rr., 37 vjeç, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Pilo Begaj”, Vlorë, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 22 janë arrestuar dhe 35 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Kukës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja e mbetur në tentativë”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje: 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Berat, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 11 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 3 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë;

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 1 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.